

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët europianë kanë përfunduar hartimin e një plani për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sipas tij, propozimi përfshin një armëpushim, krijimin e një zone të lirë ekonomike dhe tërheqjen e trupave nga zonat e konfliktit.
Zelensky tha se plani është rezultat i diskutimeve mes Ukrainës, SHBA-së, vendeve europiane dhe Rusisë, ndërsa theksoi se disa prej ideve janë ende në fazën e diskutimit.
Sipas presidentit ukrainas, një nga pikat kryesore të planit është vendosja e një armëpushimi, ndërsa një tjetër lidhet me propozimin amerikan për krijimin e një zone të lirë ekonomike.
Zelensky shpjegoi se ideja parashikon që Ukraina dhe Rusia të ndërmarrin hapa për tërheqjen e forcave, duke krijuar një zonë tampon. Sipas tij, kjo zonë do të mund të administrohej nga një palë e tretë, megjithëse ende nuk është përcaktuar se cila do të ishte kjo palë.
Diskutimet me SHBA-në
Presidenti ukrainas tha se ka zhvilluar diskutime me të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, me fokus te mundësitë konkrete për përfundimin e luftës.
“Këto janë ide të përbashkëta nga amerikanët dhe evropianët dhe janë rezultat i diskutimeve të përfunduara midis amerikanëve, nesh dhe rusëve”, deklaroi Zelensky.
Ai shtoi se SHBA-ja dëshiron të vijojë bisedimet me Ukrainën dhe Rusinë dhe se pala amerikane ka edhe propozime të tjera që pritet të paraqiten në një moment të përshtatshëm.
Sipas Zelenskyt, çështja e rolit të Bashkimit Europian dhe NATO-s, si dhe angazhimet që Ukraina do të ishte e gatshme të ndërmarrë, mbeten pjesë e diskutimeve.
Presidenti ukrainas e cilësoi planin si një ide që, në këtë fazë, ka elementë realistë për t’i dhënë fund konfliktit, por theksoi se disa prej çështjeve kryesore ende nuk janë përfundimtare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






