Transmetuar më 24-08-2026, 00:52

Mister në Detin Jon: Biznesmeni 66-vjeçar spanjoll rezulton prej 5 ditësh i zhdukur, ra në det teksa udhëtonte me gruan e tij

Operacioni i kërkim-shpëtimit për biznesmenin spanjoll 66-vjeçar Juan José Mutilba Obregón, i cili rezulton i zhdukur që prej së martës, 18 gusht, në ujërat e Detit Jon, vijon me intensitet të plotë.

Thirrjet dramatike të 66-vjeçarit, pak para se të zhdukej në det, janë sjellë në vëmendje nga gazeta spanjolle “El Mundo” që citon noa.al.

Çështja ka marrë tashmë një dimension të ri, pasi janë zbardhur rrethanat e sakta të aksidentit në velierën që ishte nisur nga Sirakuza me destinacion Pylosin.

Fjalët e fundit dhe rënia në det

Sipas një raportimi të ri të “El Mundo”, mëngjesin e së martës 66-vjeçari po peshkonte dhe kishte arritur të nxirrte në bord një peshk ton.

Teksa po pastronte peshkun, dyshohet se rrëshqiti mbi gjak dhe ra në det.

Bashkëshortja e tij 67-vjeçare, Carmen, e dëgjoi të shoqin duke i bërtitur me dëshpërim nga uji:

“Mentxu, Mentxu, fike motorin!”

Djali i biznesmenit të zhdukur, i cili ka mbërritur në Pylos, ka bërë thirrje që kërkimet të vazhdojnë.

Siç shpjegoi djali i çiftit, Sergio, megjithëse nëna e tij kishte prej vitesh një leje për drejtimin e mjeteve lundruese rekreative, paniku dhe mungesa e eksperiencës praktike nuk e lejuan të reagonte në kohë.

Në pamundësi për ta ndalur velierën, mjeti vazhdoi lundrimin duke u larguar me shpejtësi nga 66-vjeçari, ndërsa mungesa e sinjalit në telefonin e saj e bëri të pamundur kërkimin e menjëhershëm të ndihmës.

Shpëtimi pas tre ditësh

E bllokuar në velierën që nuk arrinte ta kontrollonte, 67-vjeçarja qëndroi në det për gati tre ditë.

Të premten, telefoni i saj më në fund kapi sinjal.

Ajo kontaktoi menjëherë një mik të familjes me njohuri në lundrim, i cili njoftoi shërbimin spanjoll të shpëtimit detar, “Salvamento Marítimo”. Sinjali iu përcoll më pas menjëherë autoriteteve italiane dhe greke.

Veliera me flamur francez u lokalizua nga Roja Bregdetare rreth 18 milje detare larg Pylosit.

Me ndihmën e dy mjeteve patrulluese, një automjeti nga toka dhe anijes së peshkimit “IOANNA-MARINA”, veliera u rimorkiua në mënyrë të sigurt drejt marinës së Pylosit.

Gruaja u gjet në gjendje të mirë shëndetësore.

Ankthi i familjes

Djali i të zhdukurit, Sergio Mutilba, ka mbërritur tashmë në Pylos dhe po pret zhvillime të reja.

Duke folur për mediat spanjolle, ai bëri thirrje që operacionet e kërkimit të mos ndërpriten dhe kërkoi një përfshirje më të madhe të autoriteteve spanjolle, duke theksuar nevojën për mobilizimin e menjëhershëm të më shumë mjeteve të shpëtimit.

I zhdukuri, Juan José Mutilba Obregón, ish-specialist i teknologjisë së informacionit, kishte drejtuar për vite me radhë kompaninë “D’ors Informática”, ndërsa më vonë ishte angazhuar edhe në sektorin e shpërndarjes së ujit përmes kompanisë “Mutobre S.L.”.

Pas daljes së parakohshme në pension, ai ia kushtonte pjesën më të madhe të kohës detit, duke udhëtuar shpesh me bashkëshorten nëpër Mesdhe, me ndalesa në Itali, Francë dhe Greqi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit