

Situatë dramatike në Nevada: zjarri po përhapet me shpejtësi nga erërat, ka të plagosur dhe mijëra të tjerë janë në gatishmëri për evakuim
Një zjarr i fuqishëm që po përhapet me shpejtësi në Nevada të Shteteve të Bashkuara ka detyruar dhjetëra mijëra njerëz të largohen nga banesat e tyre, ndërsa të paktën gjashtë persona kanë mbetur të plagosur.
Zjarri, i quajtur “Hawk Fire”, shpërtheu pranë Reno-s dhe deri të dielën kishte përfshirë rreth 13 mijë acres tokë, ndërsa vijonte të ishte jashtë kontrollit. Erërat e forta, lagështia e ulët dhe bimësia e thatë po e bëjnë ndërhyrjen e zjarrfikësve veçanërisht të vështirë, raporton noa.al.
Autoritetet e qarkut Washoe thanë se rreth 42 mijë banorë kanë marrë urdhër për evakuim. Rreth 45 mijë të tjerë ndodhen në zonat e paralajmërimit dhe janë këshilluar të përgatiten për t’u larguar menjëherë nëse situata përkeqësohet.
Zonat e evakuimit janë shtrirë deri pranë Universitetit të Nevadës në Reno, ndërsa flakët kanë dëmtuar dhe shkatërruar disa ndërtesa. Autoritetet ende nuk kanë mundur të japin një bilanc përfundimtar të dëmeve materiale, citon noa.al një raport nga terrenit të CBS.
Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur deri tani. Tre prej tyre janë civilë dhe tre pjesëtarë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë.
Situata është komplikuar edhe nga erërat, të cilat ndryshojnë drejtim dhe mund t’i shtyjnë flakët me shpejtësi drejt zonave të banuara. Autoritetet kanë bërë të ditur gjithashtu se zjarri është shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar se si nisi konkretisht.
Guvernatori i Nevadës, Joe Lombardo, shpalli gjendjen e emergjencës në qarkun Washoe dhe mobilizoi Gardën Kombëtare. Dy ekuipazhe helikopterësh janë vënë në dispozicion të operacioneve ajrore kundër flakëve, ndërsa 60 efektivë të tjerë po ndihmojnë policinë për ruajtjen e lagjeve të evakuuara.
Zjarri ka shkaktuar probleme të mëdha edhe në furnizimin me energji elektrike. Gjatë së dielës, rreth 10 mijë konsumatorë rezultonin pa energji, ndërsa pjesë të autostradës amerikane 395 u mbyllën për shkak të avancimit të flakëve.
Për personat e evakuuar është hapur Qendra e Konventave Reno-Sparks, ndërsa autoritetet kanë ngritur ambiente të veçanta për strehimin e kafshëve. Banorët janë paralajmëruar se mund të duhet të qëndrojnë larg shtëpive për disa ditë, në mënyrë që ekipet e emergjencës të kenë hapësirën e nevojshme për të luftuar zjarrin.
Reno ka një popullsi prej më shumë se 280 mijë banorësh dhe përhapja e shpejtë e “Hawk Fire” ka ngritur shqetësime serioze për zonat rezidenciale në veriperëndim të qytetit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






