

POGRADEC- Një 78-vjeçar nga fshati Homçan i Pogradecit arriti të takonte kryeministrin Edi Rama, pasi kishte pritur për rreth pesë orë jashtë vendit ku po zhvillohej mbledhja me drejtuesit politikë të qarqeve.
Çelnik Shtupalli tha se kishte kërkuar takimin me Ramën për t’i përcjellë një problem të banorëve të fshatit: asfaltimin e rrugës, e cila sipas tij është rreth 4 kilometra e gjatë dhe prej vitesh krijon vështirësi për banorët.
“I thashë kryeministrit për të bërë rrugën e fshatit Homçan. Populli është i vuajtur shumë prej baltës dhe prej rrugës së keqe”, u shpreh 78-vjeçari.
Ai tregoi se më herët ia kishte ngritur këtë çështje edhe kryetarit të bashkisë, ndërsa këtë herë vendosi t’ia kërkonte drejtpërdrejt kryeministrit.
Sipas Shtupallit, Rama i ka kërkuar kryetarit të bashkisë që rruga të shtrohet me asfalt.
“Faleminderit shumë Edi Ramës se i tha Ilirit, t’ja bësh rrugën me asfalt”, tha ai.
Në fund të takimit, 78-vjeçari tregoi se e kishte përqafuar kryeministrin dhe i kishte shprehur mirënjohjen në emër të banorëve.
“E përqafova dhe i thashë i gjithë populli të përqafon për të gjithë punën e madhe që ke bërë për Shqipërinë”, deklaroi Shtupalli.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






