Transmetuar më 23-08-2026, 22:54

ATHINË- Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e një gruaje shqiptare në zonën e Nea Smyrni, në Athinë. Autoritetet greke po hetojnë me intensitet marrëdhënien mes viktimës dhe 48-vjeçarit të dyshuar për krimin.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, policia ka sekuestruar pamje filmike nga ndërtesa ku ndodhi ngjarja, të cilat po analizohen për të rindërtuar minutat para të shtënave.

Nga hetimet paraprake dyshohet se 48-vjeçari kishte vendosur një person të qëndronte pranë banesës së gruas dhe kishte pritur momentin kur ajo do të dilte.

Kur viktima hapi derën, i dyshuari dyshohet se e kërcënoi me një revolver dhe e detyroi të gjunjëzohej. Më pas, sipas të dhënave të publikuara, ai qëlloi dy herë. Plumbi i parë nuk e goditi, ndërsa i dyti rezultoi fatal.

Hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që gruaja të ishte kërcënuar më herët. Sipas informacioneve të publikuara, ajo kishte frikë për jetën e saj dhe kishte marrë masa mbrojtëse, mes tyre edhe ndryshimin e bravave të banesës, ku jetonte me vajzën e saj të mitur.

Në kuadër të hetimeve po kontrollohen edhe provat e gjetura në automjetin e 48-vjeçarit. Dyshohet se aty janë gjetur fishekë të të njëjtit kalibër me ato të përdorura në vrasje.

Ndërkohë, arma që dyshohet se është përdorur në krim përshkruhet si një revolver relativisht i ri. Autoritetet greke po vijojnë analizimin e provave balistike, pamjeve filmike dhe të dhënave nga telefonat për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit