

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj nismës së kryeministrit Edi Rama për krijimin e portalit “Pasqyra Albania”, të prezantuar pas mbledhjes së zhvilluar në Pogradec me drejtuesit politikë dhe kabinetin qeveritar.
Rama e ka paraqitur platformën si një mekanizëm të ri për komunikimin mes qytetarëve dhe institucioneve, ku çdo kërkesë apo ankesë do të mund të ndiqet në kohë reale, ngjashëm me gjurmimin e një “pakete postare”.
Berisha e ka kundërshtuar nismën, duke e cilësuar si “një tjetër projekt shumë milionësh” dhe duke akuzuar qeverinë se përmes saj do të shpërdorohen paratë publike.
Sipas kreut të PD-së, “Pasqyra Albania” nuk do të përmirësojë marrëdhënien e qytetarëve me administratën, por do të krijojë një tjetër barrierë mes tyre.
“Pasqyra është një mashtrim i ri, një mur i ri midis qytetarit dhe administratës”, deklaroi Berisha.
Ai e krahasoi projektin me “Diellën”, duke e quajtur “Diella e re shumë milionëshe” dhe duke pretenduar se platforma do t’u shërbejë qytetarëve aq sa, sipas tij, Diella luftës kundër korrupsionit dhe abuzimeve qeveritare.
Berisha e ka lidhur gjithashtu nismën me projektet dhe premtimet e tjera të qeverisë, duke e akuzuar Ramën për shpërdorim të fondeve publike. Megjithatë, në reagimin e publikuar nuk paraqiten të dhëna konkrete për koston e “Pasqyra Albania”.
Reagimi i plotë:
“Pasqyrë Albania”, Diella e re shumë milionëshe! Në serialin e mashtrimeve të tij të kësaj vere, Edi Rama, i bronzuar por i tromaksur dhe i skaduar, pas dështimit me Besën dhe Besimin, njoftoi nga Pogradeci portalin e ri "Pasqyra Albania" si mjetin e komunikimit me qytetarët për hallet e tyre. Në fakt, me këtë ai njoftoi vjedhjen e re të miliona dollarëve për "Pasqyra Albania", në të cilën, sipas tij, qytetari do të mund të ndjekë ankesën apo kërkesën e tij. Natyrisht, pasqyra është një mashtrim i ri, një mur i ri midis qytetarit dhe administratës, e cila do t’u shërbejë qytetarëve aq sa Diella luftës kundër vjedhjeve qeveritare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






