

POGRADEC – Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje dhe detaje nga mbledhja e zhvilluar sot në Pogradec me drejtuesit politikë të qarqeve dhe përfaqësues të kabinetit qeveritar. Takimi zgjati rreth 6 orë dhe u përqendrua te mënyra e re e komunikimit të qeverisë me qytetarët.
Rama tha se një nga temat kryesore ishte dokumenti “Besa”, ndërsa theksi u vendos edhe te krijimi i një mekanizmi të ri që ai e quan “Pasqyrë Albania”.
Sipas kryeministrit, përmes kësaj pasqyre qytetari do të ketë një pikë ku mund të shohë dhe ndjekë marrëdhënien e tij me institucionet shtetërore.
“Çdo kërkesë, çdo shqetësim, çdo hall i qytetarit drejtuar institucioneve të jetë si një pako postale, statusi i së cilës ndiqet në kohë reale nga dërguesi”, tha Rama.
Ai shpjegoi se sistemi synon të bëjë të gjurmueshme edhe përgjegjësitë e institucioneve, duke evidentuar rastet kur nuk respektohen afatet.
Rama e cilësoi këtë si pjesë të “ekosistemit të ri të komunikimit të qeverisë”, duke theksuar se qëllimi nuk është vetëm komunikimi publik, por një marrëdhënie më e drejtpërdrejtë mes qytetarit dhe administratës.
Mbledhja në Pogradec u zhvillua në një kohë kur qeveria përballet me protesta të vazhdueshme qytetare, ndërsa Rama e ka vendosur përmirësimin e komunikimit dhe të shërbimeve ndaj qytetarëve në qendër të diskutimeve për sezonin e ri politik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






