

TIRANË – Shqipëria po përjeton një rritje të ndjeshme të motorizimit, por zgjerimi i flotës së automjeteve nuk është shoqëruar ende me rinovim të mjaftueshëm të saj. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, motorizimi në vend është rritur me 122% gjatë dekadës së fundit, ritmi më i lartë në Ballkanin Perëndimor.
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se në Shqipëri janë rreth 847 mijë autovetura. Prej tyre, 91% janë mbi 10 vjeç, ndërsa afro 385 mijë automjete janë mbi 20 vjet të vjetra.
Në kontrast të fortë me këtë panoramë, tregu i automjeteve të reja po shënon një orientim gjithnjë e më të madh drejt teknologjive elektrike. Sipas të dhënave të DPSHTRR-së, 71.2% e autoveturave të reja të regjistruara këtë vit janë elektrike, duke shënuar një rritje prej 21% krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, ritmi i regjistrimeve të automjeteve të reja nuk është ende i mjaftueshëm për të ndryshuar në mënyrë të ndjeshme strukturën e përgjithshme të flotës. Pjesa dërrmuese e automjeteve që qarkullojnë në vend vijon të jetë e vjetër, çka sjell pasoja në konsum, siguri dhe ndotje.
Sipas Bankës Botërore, automjetet e vjetra lidhen me konsum më të lartë karburanti, standarde më të ulëta sigurie dhe kosto më të mëdha ekonomike që lidhen me aksidentet, dëmet materiale dhe humbjen e produktivitetit.
Në Bashkimin Europian, automjetet mbi 10 vjeç përbëjnë rreth 57% të flotës, një shifër dukshëm më e ulët se ajo e Shqipërisë.
Raporti thekson gjithashtu se rreth 95% e emetimeve të sektorit të transportit në Shqipëri vijnë nga transporti rrugor. Për këtë arsye, sipas Bankës Botërore, përmirësimi i situatës nuk duhet të mbështetet vetëm te elektrifikimi i automjeteve, por edhe te zhvillimi i transportit publik, hekurudhave dhe infrastrukturës më të sigurt rrugore.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






