

POGRADEC – Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me drejtuesit politikë të 12 qarqeve dhe kryetarët e komisioneve, në një mbledhje me dyer të mbyllura që po zhvillohet në Pogradec.
Sipas burimeve të bëra publike nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, diskutimet kanë nisur me dokumentin “Besa”, për të cilin të pranishmit kanë paraqitur sugjerimet dhe vërejtjet e tyre.
Në vijim, Rama është fokusuar te mënyra se si duhet të funksionojë bashkëpunimi mes ministrave, drejtuesve politikë, deputetëve dhe drejtorëve në nivel rajonal.
Kryeministri u ka kërkuar të pranishmëve mendime dhe propozime konkrete për përmirësimin e kësaj marrëdhënieje dhe për përcaktimin më të qartë të rolit që duhet të ketë secili prej aktorëve në strukturën drejtuese të Partisë Socialiste dhe administratës në qarqe.
Takimi ka nisur rreth orës 11:30 dhe zhvillohet në kuadër të një serie diskutimesh të brendshme të strukturave drejtuese të PS-së. Një tjetër mbledhje është parashikuar të zhvillohet ditën e hënë.
Përmbajtja e plotë e diskutimeve nuk është bërë publike, pasi takimi po zhvillohet me dyer të mbyllura.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






