Transmetuar më 23-08-2026, 16:05

VLORË – Elvis Kosova, i njohur si “Visi i garave”, është arrestuar mesditën e së dielës në Palasë gjatë një operacioni të zhvilluar nga FNSH dhe RENEA.

Kosova është ndaluar nën dyshimin për armëmbajtje pa leje, pasi gjatë kontrollit është gjetur me një armë zjarri të tipit pistoletë.

Elvis Kosova është i njohur si biznesmen në fushën e shitblerjes së automjeteve dhe administron gjithashtu një biznes të makinave me qira. Emri i tij është përmendur edhe më herët në disa episode të hetuara nga autoritetet.

Në vitin 2025, në portën hyrëse të garazhit të tij në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë u vendos një sasi lënde plasëse. Ngjarja u hetua nga autoritetet, ndërsa motivet dhe autorët mbetën në fokus të hetimeve.

Në gusht 2024, Kosova ishte ndaluar në lidhje me një çështje që lidhej me një automjet luksoz tip “Audi R8”, me vlerë rreth 200 mijë euro. Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, automjeti ishte sjellë nga Gjermania dhe më pas dyshohej se ishte përvetësuar përmes mashtrimit.

Emri i tij është përmendur gjithashtu në lidhje me një automjet tip “Benz”, i cili dyshohej se ishte përdorur në atentatin ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani në Rinas. Kosova i kishte mohuar publikisht këto pretendime, duke deklaruar se automjeti ishte në pronësi të kompanisë së tij.

Përveç aktivitetit në biznesin e automjeteve, Kosova është i njohur për pasionin ndaj garave të shpejtësisë, aktivitet që i ka siguruar edhe nofkën “Visi i garave”. Në vitin 2022 ai u hetua për organizimin e një gare të paligjshme me makina në zonën e mbikalimit të Patokut.

Policia e kishte identifikuar pas publikimit të videove të garës në rrjetet sociale. Në vijim të hetimeve, ai u gjet duke çmontuar makinën e garës në një servis dhe u gjobit nga Policia Rrugore me 120 mijë lekë të rinj.

Arrestimi i fundit në Palasë është pjesë e një aksioni të përbashkët të strukturave speciale të Policisë së Shtetit, ndërsa vijojnë procedurat hetimore për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit