Transmetuar më 23-08-2026, 15:49

TIRANË – 15 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 23 gushtit, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 8 janë vendosur nën monitorim. Të dhënat janë bërë publike nga Ministria e Mbrojtjes, bazuar në situatën e raportuar deri në orën 14:00.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 213 forca, 10 mjete zjarrfikëse dhe një ekskavator i rëndë. Ndërhyrja nga ajri po realizohet me dy helikopterë dhe dy avionë të tipit Air Tractor.

Në Malin e Dajtit, zjarri vijon të jetë aktiv dhe po punohet për shuarjen e tij. Në terren ndodhen 15 efektivë të shërbimit zjarrfikës dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga një helikopter. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Në Bulqizë, dy vatra në Qafë të Helmes vijojnë të jenë aktive në sipërfaqe pyjore. Për izolimin e tyre po punojnë 11 efektivë të MZSH-së.

Në Mirditë, situata në Tenë paraqitet e stabilizuar, ndërsa 27 forca të MZSH-së, Shërbimit Pyjor dhe bashkisë vijojnë punën në terren. Në Shtuf zjarri ka intensitet të ulët dhe zona po monitorohet.

Në Pukë, në Prozhem, operacioni vijon me tre mjete zjarrfikëse dhe 15 efektivë, të mbështetur nga 13 forca të Shërbimit Pyjor, banorë të zonës dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në zonën Gojan–Gjegjan, situata është përmirësuar ndjeshëm. Vatrat janë izoluar ose shuar dhe aktualisht vijojnë të jenë nën mbikëqyrje.

Vëmendje e veçantë po i kushtohet Krastës së Krujës, ku zjarri vijon me intensitet dhe ndodhet pranë zonave të banuara. Në operacion janë angazhuar shërbimet zjarrfikëse të Krujës, me mbështetje nga ekipet e Kamzës dhe Vorës. Ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri me një helikopter.

Ndërkohë, në Malin e Çikës, mbi Palasë, vijon operacioni për shuarjen përfundimtare të flakëve. Për ndërhyrjen në këtë zonë janë angazhuar dy avionë Air Tractor.

Në total, për menaxhimin e situatës janë angazhuar 153 forca operacionale dhe 60 efektivë të Forcave të Armatosura, së bashku me mjetet tokësore dhe ekipet e ndërhyrjes nga ajri. Autoritetet vijojnë monitorimin e të gjitha zonave me rrezik, ndërsa prioritet mbetet izolimi i vatrave aktive dhe mbrojtja e zonave të banuara.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit