Transmetuar më 23-08-2026, 14:48

Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi për ngjarjen e rëndë në Nea Smyrni të Athinës, ku 48-vjeçari shqiptar Altin Allmuça vrau me armë zjarri 45-vjeçaren Julieta Obzova dhe më pas i dha fund jetës.

Nga verifikimet e autoriteteve greke rezulton se Allmuça ishte i martuar dhe baba i një fëmije. Bashkëshortja e tij është marrë në pyetje nga policia, ndërsa sipas dëshmisë së saj, ajo nuk kishte dijeni për ndonjë marrëdhënie paralele mes bashkëshortit dhe 45-vjeçares.

Në kuadër të hetimeve, policia greke ka kontrolluar banesën e 48-vjeçarit në zonën e Tavrosit, ku janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumente dhe telefonat celularë të dy personave. Pajisjet po analizohen nga ekspertët për të zbardhur komunikimet dhe lëvizjet e tyre para ngjarjes.

Hetuesit po fokusohen veçanërisht te aktiviteti online dhe komunikimet e fundit mes dy viktimave, me synim përcaktimin e natyrës së marrëdhënies së tyre dhe nëse ka pasur konflikte apo episode të tjera që mund të kenë paraprirë krimin.

Ndërkohë, nëna e Julieta Obzovës ka dhënë dëshminë e saj për mediat greke, duke rrëfyer mes lotësh momentet kur mori vesh për vdekjen e vajzës. Ajo ka deklaruar se 45-vjeçarja ishte e ndarë prej kohësh nga ish-bashkëshorti dhe se nuk i kishte treguar familjes për ndonjë lidhje të re sentimentale apo probleme që mund ta shqetësonin.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për të përcaktuar motivin e saktë të krimit dhe dinamikën e marrëdhënies mes 48-vjeçarit dhe 45-vjeçares. Provat e sekuestruara dhe analizimi i komunikimeve të tyre pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në tragjedinë e Nea Smyrnit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit