

SARANDË – Pesë persona nga Tirana dhe Kavaja, të arrestuar në fshatin Gjashtë të Sarandës nën dyshimin se po përgatitnin një atentat, vijojnë të jenë në qendër të hetimeve të Prokurorisë. Gjykata e Sarandës ka lënë në burg dy prej tyre, ndërsa tre të tjerët janë vendosur në masën “arrest në shtëpi”.
Në pranga janë Sidorel Moriseni, 33 vjeç, Alfred Kaja, 26 vjeç, Vitrin Hoxha, 21 vjeç, Franko Bobja, 22 vjeç dhe Vionis Poka, 31 vjeç. Sipas hetimeve, Moriseni dhe Kaja u kapën në një zonë pa ndriçim, pranë një rruge në fshatin Gjashtë, teksa po nxirrnin nga automjeti dy pistoleta, njëra prej tyre me silenciator. Në vendngjarje u sekuestruan edhe municione.
Tre personat e tjerë ndodheshin në një automjet tjetër dhe, sipas akuzës, përballen me dyshimet për moskallëkim krimi. Për Morisenin dhe Kajën gjykata caktoi masën “arrest në burg”, ndërsa për Hoxhën, Bobjan dhe Pokën “arrest në shtëpi”.
Hetuesit dyshojnë se grupi kishte shkuar në Sarandë me qëllim kryerjen e një vrasjeje, por deri tani objektivi i mundshëm i atentatit nuk është përcaktuar. Asnjë prej pesë të arrestuarve nuk ka dhënë informacion mbi personin që dyshohet se ishte shënjestra. Për këtë arsye, Prokuroria ka kërkuar edhe zbërthimin e aparateve celulare, me qëllim evidentimin e komunikimeve dhe kontakteve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e planit të dyshuar kriminal.
Një element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se të arrestuarit u kapën pranë banesës së Rexhep Ismailit, biznesmenit që u vra më 7 maj në lokalin e tij në Qafë Gjashtë. Grupi hetimor po verifikon nëse prania e tyre në këtë zonë lidhet me atë ngjarje apo ka qenë rastësi.
Sipas hetimeve për vrasjen e Ismailit, 66-vjeçari u qëllua me një plumb në kokë gjatë një përplasjeje me armë dhe dyshohet se ndërhyri për të mbrojtur Viktor Rucin, duke përfunduar vetë viktimë e konfliktit. Për këtë arsye, hetuesit po verifikojnë çdo lidhje të mundshme mes grupit të arrestuar dhe dinamikës së kësaj ngjarjeje.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar objektivin e mundshëm, motivin dhe nëse pesë personat vepronin me iniciativën e tyre apo nëse ishin dërguar nga persona të tjerë.
Të gjithë të arrestuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






