

Para përballjes me Tiranën, trajneri i Egnatias, Dede, vlerësoi maksimalisht skuadrën e tij dhe theksoi atmosferën pozitive që mbizotëron në kampin rrogozhinas.
Dede deklaroi se grupi është në gjendje të mirë dhe se harmonia mes lojtarëve është në nivele të larta. Tekniku bëri të ditur se skuadra do të ketë dy mungesa, Bakajokon, i cili po rikuperohet pas ndërhyrjes kirurgjikale, dhe Haime, që po ndjek një trajtim për t’u rikthyer sa më shpejt pranë ekipit.
“Gjendja e lojtarëve tanë është shumë e mirë. Harmonia në grup është maksimale dhe ky fakt na gëzon pa masë. Kemi dy mungesa të rëndësishme, Bakajoko që do kohën e gjatë për rikuperim pas një ndërhyrjeje të suksesshme, të cilit i uroj shërim të shpejtë. Haime po ndjek një trajtim që ta kemi sa më shpejt të jetë e mundur pranë skuadrës. Mbështetja e klubit është maksimale dhe ky sezon i ri na gjen mirë. Jemi gati për t’u përballur me Tiranën”, u shpreh Dede.
Trajneri i Egnatias e cilësoi përballjen me Tiranën si një nga sfidat më të rëndësishme dhe tërheqëse të kampionatit, duke nënvizuar edhe ecurinë e fundit të klubit rrogozhinas në futbollin shqiptar.
“Egnatia është historia e momentit e futbollit shqiptar. Besoj se është një përballje shumë e bukur. Çdokush do të kishte dëshirë të ishte pjesë, jo vetëm për ta luajtur, por edhe për ta ndjekur në stadium. Është një vitrinë luksi për Superioren”, deklaroi ai.
Dede theksoi gjithashtu rëndësinë e përqendrimit maksimal të skuadrës në prag të sfidës. Sipas tij, lojtarët janë të motivuar dhe po përgatiten me seriozitet për një ndeshje ku çdo detaj mund të jetë vendimtar.
“Jam i lumtur me këtë grup djemsh. Ata stërviten çdo ditë, nuk kursehen dhe nuk më sjellin kokëçarje. Janë gati për përballjen. Duhet të jemi në fokus”, përfundoi trajneri i Egnatias.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






