Transmetuar më 23-08-2026, 13:07

Policia e Sarandës ka gjetur një thikë që dyshohet se është përdorur në ngjarjen ku humbi jetën 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes. Për ngjarjen është arrestuar 29-vjeçari Sokrat Vata.

KSAMIL – Policia e Sarandës ka gjetur një thikë që dyshohet se është përdorur në vrasjen e turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes, 20 vjeç.

Sipas të dhënave të deritanishme, thika është gjetur në një zonë me shkurre, ku dyshohet se është hedhur pas ngjarjes. Ajo pritet t’i nënshtrohet ekzaminimeve kriminalistike për të përcaktuar nëse lidhet me plagët e shkaktuara viktimës dhe nëse mbart gjurmë të tjera që mund të ndihmojnë hetimin.

Sipas dinamikës së hetuar deri tani, konflikti ka nisur në ambientet e kompleksit “Principote” dhe më pas ka vijuar jashtë tij. Sokrat Vata, i cili punonte si pjesëtar i sigurisë në kompleks, dyshohet se ka goditur me thikë turistin portugez, ndërsa një person tjetër dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

Vata u arrestua më 18 gusht në Levan të Fierit, pasi ishte fshehur në bagazhin e një automjeti. Gjykata e Sarandës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”.

Vata jep një tjetër version

Para grupit hetimor, Sokrat Vata ka dhënë një version tjetër për rrethanat e ngjarjes. Ai ka pretenduar se thika i përkiste turistit portugez dhe se ia kishte marrë nga dora përpara se ta godiste.

Ky pretendim, së bashku me provat e mbledhura në vendngjarje dhe rezultatet e ekspertizës kriminalistike të thikës, pritet të jetë pjesë e hetimit për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar dinamikën e konfliktit dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit