

Një 23-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka kryer pesë vjedhje në biznese të ndryshme gjatë periudhës 14–22 gusht.
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “HIJA”, në kuadër të të cilit është arrestuar shtetasi me inicialet K. M., 23 vjeç.
Sipas policisë, i riu, i cili ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, dyshohet se dilte fshehurazi nga banesa dhe kryente vjedhje në subjekte të ndryshme në kryeqytet.
Hetimet kanë dokumentuar, sipas autoriteteve, pesë raste të vjedhjes së parave dhe produkteve në biznese të ndryshme, të kryera nga data 14 deri më 22 gusht 2026.
23-vjeçari u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 në sheshin “Skënderbej”. Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti dhe sekuestroi edhe një sasi të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa.
Pamjet e kamerave të sigurisë nga një prej bizneseve të vjedhura kanë dokumentuar lëvizjet e autorit të dyshuar, i cili, sipas policisë, ishte i maskuar dhe arrinte të merrte para dhe produkte nga ambientet e subjektit.
Arrestohet edhe një 31-vjeçar për grabitjen e dy varëseve
Në kuadër të një tjetër operacioni, të koduar “REACTION”, Policia e Tiranës ka arrestuar edhe shtetasin Sh. J., 31 vjeç, i dyshuar për vjedhjen me dhunë të dy varëseve një shtetaseje në rrugën e “Saraçëve”.
Sipas policisë, dy varëset e dyshuara të vjedhura janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Në total, dy operacionet e zhvilluara nga Komisariatet e Policisë Nr. 1 dhe Nr. 4 kanë çuar në zbardhjen e gjashtë rasteve të vjedhjes.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Personat e arrestuar gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






