Transmetuar më 23-08-2026, 10:03

Blerim Hajdarmataj, i cili përdhunoi një adoleshente të pambrojtur në vitin 2014, u arratis nga vendi gjatë gjyqit, u gjet dy vjet më vonë në Kosovë, u burgos dhe u dëbua, është zbuluar se ishte kthyer sërish dhe po jetonte në Mbretërinë e Bashkuar

Autoritetet e gjetën duke jetuar në Essex, ndonëse nuk kishte të drejtë të rikthehej në Britani. Gjykata dha tashmë vendimin e ri ndaj tij

Një shtetas shqiptar, i dënuar më herët në Mbretërinë e Bashkuar për përdhunimin e një 18-vjeçareje, është rikthyer sërish pas hekurave pasi autoritetet zbuluan se kishte hyrë në territorin britanik në kundërshtim me një urdhër dëbimi.

Bëhet fjalë për 35-vjeçarin Blerim Hajdarmataj, i njohur gjithashtu me emrat Ben Matka dhe Rinor Hajdarmataj. Ai u zbulua në korrik të vitit 2026 duke jetuar në Rayleigh, në Essex, ndonëse ishte dëbuar nga Britania në vitin 2019 dhe nuk kishte të drejtë të rikthehej për sa kohë urdhri përkatës ishte ende në fuqi.

Hajdarmataj u paraqit në Gjykatën e Kurorës në Basildon, ku pranoi se kishte hyrë me vetëdije në Mbretërinë e Bashkuar duke shkelur urdhrin e dëbimit. Ai pranoi gjithashtu se nuk kishte respektuar detyrimet ligjore të njoftimit që i ishin vendosur si person i regjistruar për shkelje seksuale.

Sipas autoriteteve, shqiptari nuk kishte informuar policinë as për kthimin e tij në Britani dhe as për adresën ku ishte vendosur.

Historia e çështjes së tij daton në shtator të vitit 2014, kur Hajdarmataj punonte si pastrues. Në atë periudhë, ai kishte njohur një 18-vjeçare në një lokal në Chelmsford dhe më pas e kishte ftuar në banesën e tij.

E reja fillimisht kishte refuzuar të shkonte me të. Megjithatë, mëngjesin pasardhës ajo ishte zgjuar në shtratin e Hajdarmatajt pa rroba dhe me dëmtime të dukshme në trup, mes tyre gërvishtje, mavijosje dhe shenja kafshimi.

Ajo kishte deklaruar gjithashtu se ndihej e çorientuar dhe sikur dhoma po rrotullohej. Pasi kishte kuptuar se diçka serioze kishte ndodhur, ishte larguar nga banesa dhe kishte ndaluar një automjet në rrugë për të kërkuar ndihmë, ndërkohë që Hajdarmataj e ndiqte.

Pas hetimeve, ndaj tij u ngrit akuza për përdhunim.

Në vitin 2016, ndërsa procesi gjyqësor ishte ende në zhvillim, Hajdarmataj u arratis nga Britania. Gjykimi vijoi në mungesë dhe ai u shpall fajtor.

Autoritetet britanike nisën më pas kërkimet ndërkombëtare. Ai u gjurmua fillimisht drejt Shqipërisë dhe më pas u gjet në Kosovë. Më pas u rikthye në Britani përmes një Urdhri Evropian Arresti për t’u përballur me dënimin.

Në vitin 2017, oficeri i policisë Terry Balding e kishte përshkruar veprën si një shfrytëzim “të tmerrshëm dhe të neveritshëm” të një vajze të re në gjendje të pambrojtur.

Policia kishte kritikuar edhe arratisjen e tij gjatë procesit, duke theksuar se largimi i të akuzuarit i kishte shkaktuar viktimës frikë dhe ankth të mëtejshëm.

Pas vuajtjes së dënimit, Hajdarmataj u dëbua nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 2019. Por disa vite më vonë ai arriti të rikthehej në vend.

Në korrik 2026, autoritetet zbuluan se ai po jetonte në Rayleigh, Essex, pa respektuar detyrimet ligjore që rridhnin si nga urdhri i dëbimit, ashtu edhe nga statusi i tij si person i regjistruar për vepra seksuale.

Të mërkurën, Hajdarmataj u deklarua fajtor për të dyja shkeljet në Gjykatën e Kurorës në Basildon.

Gjykatësi Richard Conley e dënoi atë me 16 muaj burg për mosrespektimin e detyrimeve të njoftimit si person i regjistruar për shkelje seksuale. Për rikthimin në Britani në kundërshtim me urdhrin e dëbimit, ai mori edhe 12 muaj burg të tjerë, dënim që do të vuhet paralelisht me atë prej 16 muajsh.

Pas përfundimit të dënimit, ndaj 35-vjeçarit mund të merren masa të tjera nga autoritetet britanike të emigracionit për qëndrimin e tij të paligjshëm në vend.

Çfarë shkruante BBC më 14 shkurt 20217

Shkelësi seksual që braktisi gjyqin kapet me Urdhër Arresti Evropian

Një shkelës seksual që u arratis nga Mbretëria e Bashkuar gjatë gjyqit të tij është dënuar pasi policia e gjurmoi fillimisht në Shqipëri dhe më pas në Kosovë.

Blerim Hajdarmataj, 24 vjeç, nga Chelmsford, u shpall fajtor për vepra seksuale nga një juri në mungesë të tij shtatorin e kaluar.

Viktima e tij, një 18-vjeçare nga Hornchurch, mbeti me mavijosje dhe shenja kafshimi pas sulmit.

Gjykata e Kurorës në Chelmsford e dënoi atë me tetë vjet burg pasi u kap në bazë të një Urdhri Arresti Evropian.

Hajdarmataj u kthye me avion në Mbretërinë e Bashkuar të premten e kaluar dhe u dënua të hënën.

Gjatë gjyqit, jurisë iu tregua se në shtator të vitit 2014 ai i kishte blerë një pije viktimës së tij në një lokal në Chelmsford.

“Të tmerrshme dhe të neveritshme”

Ajo kishte refuzuar kërkesën e tij për të shkuar në shtëpi me të, por të nesërmen u zgjua në shtratin e tij.

Gruaja u largua me vrap dhe ndaloi një automjet që po kalonte për të kërkuar ndihmë.

Detektivi inspektor Terry Balding tha:

“Hajdarmataj përfitoi nga një grua e pambrojtur në mënyrën më të tmerrshme dhe të neveritshme.

Ai nuk ka treguar asnjë pendesë për veprimet e tij, të cilat kanë lënë pasoja afatgjata te viktima.

Duke u larguar nga vendi gjatë gjyqit, ai e ekspozoi atë ndaj edhe më shumë frike dhe dhimbjeje.

Do të doja ta falënderoja për forcën që tregoi duke dhënë dëshmi gjatë gjithë çështjes.”

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit