Transmetuar më 23-08-2026, 09:43

TIRANË, 23 gusht 2026 – Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të mbetet nën monitorim, me 21 vatra të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, 6 vatra janë ende aktive, ndërsa 7 të tjera po mbahen nën mbikëqyrje.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 354 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 155 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete shtesë, një ekskavator i rëndë, si dhe mjete ajrore.

Këto janë zonat ku vijon ndërhyrja Mali i Dajtit: Operacioni vijon me 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Qafë e Helmes, Bulqizë: Zjarri është riaktivizuar në dy vatra në një zonë me pyll me pisha të dendura. Në terren ndodhen 11 efektivë të MZSH-së. Shtuf, Mirditë: Vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore. Shtanë–Tenë, Mirditë: Situata paraqitet e stabilizuar. Ndërhyrja vijon me forca të MZSH-së, shërbimit pyjor dhe bashkisë. Nuk raportohet rrezik për banesat. Prozhem, Pukë: Zjarri vijon në sipërfaqe pyjore. Në operacion janë angazhuar strukturat vendore dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Mali i Çikës, mbi Palasë: Zjarri vijon në terren të thepisur dhe të vështirë për t’u aksesuar nga toka. Ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri me 2 avionë Air Tractor.

Operacionet vijojnë në terren

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në disa zona situata është përmirësuar, ndërsa prioritet mbetet izolimi i vatrave aktive, parandalimi i riaktivizimeve dhe mbrojtja e zonave të banuara.

Vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh raportohet se janë izoluar ose shuar dhe aktualisht po mbahen nën mbikëqyrje.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon koordinimin me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të emergjencave, ndërsa kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit