

Radhë automjetesh janë krijuar në pikën kufitare të Morinës dhe përgjatë Rrugës së Kombit, ndërsa shumë qytetarë nga Kosova po udhëtojnë drejt zonave bregdetare të Shqipërisë në ditët e fundit të gushtit.
KUKËS, 23 gusht 2026 – Rritet qarkullimi i automjeteve në aksin Kosovë–Shqipëri, në fundjavën e fundit të gushtit, me një numër të konsiderueshëm udhëtarësh që po i drejtohen bregdetit shqiptar për ditët e fundit të sezonit veror.
Fluksi është i dukshëm në pikën e kalimit kufitar të Morinës, ndërsa ngarkesë e shtuar raportohet edhe përgjatë Rrugës së Kombit.
Sipas të dhënave të publikuara, segmenti nga Morina drejt Pikës së Pagesës paraqitet ndër pjesët më të ngarkuara të aksit, me shtim të radhëve të automjeteve.
Masat për përballimin e fluksit
Për të përballuar numrin e lartë të udhëtarëve dhe për të shmangur krijimin e radhëve të gjata, autoritetet kufitare në Morinë po operojnë me të gjitha sportelet në dispozicion.
Masa janë marrë edhe në Pikën e Pagesës në Rrugën e Kombit, ku shërbimet po punojnë me kapacitet të plotë për të përshpejtuar kalimin e automjeteve.
Fluksi pritet të vijojë edhe gjatë orëve në vazhdim, ndërsa numri i lartë i udhëtarëve lidhet me lëvizjet e qytetarëve nga Kosova drejt destinacioneve turistike në Shqipëri gjatë ditëve të fundit të gushtit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






