Transmetuar më 23-08-2026, 07:55

Kuqezinjtë marrin një pikë në debutim, pas barazimit 1-1 në Leçe. Rajmond Marinaj shënoi për Shqipërinë, ndërsa më 24 gusht U-21 përballet me Kosovën.

LEÇE, 23 gusht 2026 – Kombëtarja shqiptare U-21 e ka nisur me një pikë aventurën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, pasi barazoi 1-1 me Italinë në ndeshjen e parë të Grupit B, të zhvilluar në Leçe.

Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi zhvilloi një paraqitje pozitive dhe arriti të kalojë e para në avantazh. Goli për Shqipërinë u shënua në minutën e 45-të, kur Rajmond Marinaj dërgoi topin në rrjetë, duke mbyllur pjesën e parë me epërsinë e kuqezinjve.

Italia reagoi pas pushimit dhe arriti të barazojë rezultatin, duke vendosur shifrat përfundimtare në 1-1.

Të dyja skuadrat patën mundësi për të marrë avantazhin në pjesën e dytë, ndërsa trajneri Bushi kreu disa zëvendësime për të freskuar ekipin. Megjithatë, rezultati nuk ndryshoi deri në vërshëllimën e fundit.

Formacioni i Shqipërisë

Shqipëria e nisi takimin me Skander Tahirin në portë. Në formacionin titullar u aktivizuan gjithashtu Valentin Daja, Aurel Marku, Jordi Jaku, Kristi Bespallov, Nebi Qokthi, Hetem Lushaj, Rajmond Marinaj, Oresti Kasmollari, Bjorni Duka dhe Arlind Lleshi.

Barazimi me Italinë i siguron Shqipërisë një pikë në startin e kompeticionit dhe e mban në garë për objektivat e saj në Grupin B.

Tani radha e Kosovës

Ndeshja e radhës për kuqezinjtë do të jetë ajo ndaj Kosovës, e programuar për 24 gusht, në orën 21:00.

Shqipëria do të kërkojë fitoren e parë në “Taranto 2026”, në një përballje që mund të ketë rëndësi për pozicionimin e skuadrës në grup dhe vijimin e saj në kompeticion.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit