

PORTUGALI, 22 gusht 2026 – Futbolli portugez është tronditur nga një tjetër tragjedi. Mesfushori Quévin Castro, 25 vjeç, ka humbur jetën pasi u rrëzua pa ndjenja gjatë një ndeshjeje miqësore mes skuadrës së tij, Real Sport Clube, dhe Estrela da Amadora.
Ngjarja ndodhi në stadiumin “Estádio das Seixas”, në Malveira, pranë Lisbonës. Castro u rrëzua rreth minutës së 10-të të takimit, ndërsa stafet mjekësore të të dyja skuadrave ndërhynë menjëherë.
Në vendngjarje u përdor edhe defibrilatori, ndërsa shërbimi i emergjencës INEM e transportoi futbollistin në spital. Pavarësisht përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, mjekët nuk mundën ta shpëtonin.
Klubi: Ishte pjesë e familjes sonë
Real Sport Clube konfirmoi ndarjen nga jeta të futbollistit përmes një deklarate, duke shprehur dhimbjen për humbjen e tij dhe duke e përshkruar Castro-n si një pjesëtar të rëndësishëm të familjes së klubit.
Edhe Estrela da Amadora ka shprehur ngushëllimet për familjen, miqtë dhe bashkëlojtarët e futbollistit.
Një karrierë mes Portugalisë dhe Anglisë
Quévin Castro kishte lindur në Portugali dhe ishte rritur në Angli, ku ndërtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij. Ai ishte pjesë e akademive të Chelsea dhe West Bromwich Albion, ndërsa më vonë luajti edhe për disa klube angleze, përfshirë Burton Albion, Notts County, York City dhe Eastbourne Borough.
Me West Bromwich Albion ai pati edhe paraqitje me ekipin e parë, ndërsa këtë verë ishte rikthyer në Portugali për t’iu bashkuar Real Sport Clube.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka shkaktuar reagime të shumta në futbollin portugez dhe anglez. Sporting CP gjithashtu ka shprehur ngushëllimet për familjen dhe bashkëlojtarët e 25-vjeçarit.
West Bromwich Albion ka njoftuar se do t’i bëjë homazh ish-futbollistit me një minutë duartrokitjesh në minutën e 25-të të ndeshjes së ardhshme, ndërsa lojtarët do të mbajnë edhe shirita të zinj në krah.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






