Transmetuar më 22-08-2026, 20:46

PRISHTINË, 22 gusht 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kalimin e saj nën kontrollin e Policisë së Kosovës.

Gjatë një konference për media, Kurti tha se institucionet kosovare janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in, me synimin që procesi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore.

Ai e cilësoi si “absurde” vijimin e kufizimit të qarkullimit në urën kryesore, duke argumentuar se hapja e urave të reja në zonë dhe përdorimi i tyre pa rritje të incidenteve apo tensioneve dëshmon, sipas tij, se lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave kontribuon në ekonomi, paqe dhe siguri.

Takimi me komandantin e KFOR-it nuk u zhvillua

Kurti kishte paralajmëruar gjatë konferencës një takim me komandantin e KFOR-it, Ozgan Ulutash, për të diskutuar edhe çështjen e urës.

Megjithatë, takimi nuk u zhvillua. KFOR-i njoftoi më vonë se, “për shkak të rrethanave të paparashikuara”, takimi mes komandantit Ulutash dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës nuk u mbajt.

Në njoftim, KFOR-i theksoi se komandanti i misionit të NATO-s vijon të jetë në kontakt të ngushtë me të gjithë partnerët, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Aktualisht, ura kryesore mbi Ibër është e hapur për këmbësorët, por jo për qarkullimin e automjeteve.

Ura, pikë e ndjeshme e sigurisë

Ura mbi Ibër ka qenë prej vitesh një nga pikat më të ndjeshme të Mitrovicës dhe një simbol i ndarjes mes pjesës veriore dhe asaj jugore të qytetit.

KFOR-i e ka mbajtur urën nën mbikëqyrje që prej përfundimit të luftës, ndërsa së fundmi ka njoftuar për një tërheqje graduale të pranisë së tij nga ura, duke iu referuar përmirësimit të situatës së sigurisë.

Ky zhvillim ka shkaktuar reagimin e Serbisë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që procesi të ndalet, duke argumentuar se tërheqja e KFOR-it mund të rrisë rrezikun e përballjeve me komunitetin serb në veri të Kosovës.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar që në korrik 2024 hapjen e urës edhe për automjetet, por iniciativa u shoqërua me kundërshtime dhe shqetësime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë, autoritetet kosovare kanë ndërtuar dy ura të tjera pranë urës kryesore, një për këmbësorë dhe një për automjete, me synimin për të lehtësuar lidhjen mes Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.

Çështja e hapjes së urës kryesore mbetet një temë e ndjeshme politike dhe e sigurisë, me qëndrime të ndryshme mes institucioneve të Kosovës, KFOR-it dhe Beogradit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit