

VLORË, 22 gusht 2026 – Delegacioni i Global Sumud Flotilla ka mbërritur këtë të shtunë në Portin e Vlorës, pasi kishte njoftuar më herët se do t’i bashkohej protestave dhe kauzës për mbrojtjen e ishullit të Sazanit dhe lumit Vjosa.
Delegacioni është pritur në port nga zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Marinela Prifti, dhe drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj.
Mbërritja e grupit në Vlorë ka sjellë edhe reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka ironizuar misionin e Global Sumud Flotilla përmes një postimi në rrjetet sociale.
Rama i ka cilësuar pjesëtarët e delegacionit si “çlirimtarët e Sazanit”, ndërsa ka kritikuar qëndrimet e tyre lidhur me kauzën që kanë deklaruar.
“Ehhhhh… këta revolucionarët e rrenave i ikin të vërtetës si djalli temianit, po ndërkohë çoroditën dynjanë me marrëzitë e tyre. Gjithsesi, një kompliment Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrisë së Kulturës e Turizmit për ‘pritjen’ e bukur që u bënë çlirimtarëve të Sazanit”, shkruan Rama.
Vizita e delegacionit vjen në një kohë kur çështja e zhvillimeve dhe mbrojtjes së zonave natyrore të Sazanit dhe Vjosës ka nxitur reagime dhe protesta publike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






