

MAL I ZI, 22 gusht 2026 – Një 52-vjeçar shqiptar është arrestuar në Malin e Zi, katër vite pasi dyshohet se ka abuzuar seksualisht me një të re në një plazh të izoluar në Halkidiki të Greqisë.
Sipas mediave greke, ngjarja ka ndodhur rreth katër vite më parë, ndërsa pas krimit i dyshuari ishte larguar nga Greqia. Hetimi u zgjat për shkak se viktima fillimisht kishte identifikuar gabimisht një person tjetër, ndaj të cilit më pas nuk u gjetën prova që e lidhnin me ngjarjen.
Hetuesit vijuan punën për identifikimin e autorit dhe, sipas raportimeve, një provë vendimtare ishte analiza e ADN-së.
52-vjeçari, i cili në atë periudhë punonte si bari në zonën e Halkidikit, u identifikua pas ekzaminimit laboratorik të një mostre biologjike të marrë nga çarçafët në ambientin ku ai jetonte. Sipas autoriteteve, profili gjenetik i tij përputhej me materialin biologjik të gjetur në kuadër të hetimit.
Pas identifikimit, ndaj tij u procedua penalisht dhe u lëshua urdhër evropian arresti, me qëllim ndalimin e tij dhe dorëzimin pranë autoriteteve gjyqësore greke.
Arrestimi në Malin e Zi shënon një zhvillim të rëndësishëm në një çështje që kishte mbetur e pazbardhur për disa vite. Procedurat për ekstradimin dhe përballjen e të dyshuarit me drejtësinë greke pritet të vijojnë sipas procedurave përkatëse.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






