

TIRANË, 22 gusht 2026 – Dhjetë vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës së sotme në vend, ndërsa situata paraqitet në përmirësim. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 17:00, katër vatra vijojnë të jenë aktive, ndërsa gjashtë të tjera janë izoluar dhe ndodhen nën monitorim.
Në operacionet për shuarjen dhe kontrollin e zjarreve janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse. Në terren ndodhen gjithashtu 150 efektivë të Forcave të Armatosura, tre automjete zjarrfikëse, një ekskavator i rëndë, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Pukë, vatrat në Gojan dhe Gjegjan të izoluara
Në zonën Gojan–Gjegjan të Pukës, situata është përmirësuar ndjeshëm. Vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë izoluar, ndërsa ekipet vijojnë monitorimin e vijës së zjarrit për të shmangur riaktivizimin e flakëve.
Në operacion janë angazhuar forca të MZSH-së nga Puka, Fushë-Arrëzi dhe Kamza, shërbimi pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë e banorë dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Ndërhyrja po mbështetet me mjete zjarrfikëse, një ekskavator dhe dy helikopterë.
Ndërkohë, në Prozhem të Pukës vijon të jetë aktive një vatër në sipërfaqe pyjore. Forcat zjarrfikëse, shërbimi pyjor dhe banorët po punojnë për vënien e saj nën kontroll.
Era po favorizon përhapjen e flakëve, por deri tani nuk raportohet rrezik për banesat.
Zjarri në Mirditë vijon të monitorohet
Në zonën Shtanë–Tenë të Mirditës vijon operacioni për kontrollin e zjarrit, me pjesëmarrjen e forcave vendore dhe efektivëve të Forcave të Armatosura.
Edhe në këtë zonë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk raportohet rrezik për banesat.
Ndërhyrje nga ajri në Malin e Dajtit
Operacionet janë shtrirë edhe në Malin e Dajtit, ku janë angazhuar 25 efektivë të MZSH-së, pesë forca të ADZM-së dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Ndërhyrja po mbështetet nga një helikopter dhe dy avionë “Air Tractor”. Autoritetet bëjnë me dije se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, zjarri në Dukat është shuar plotësisht, ndërsa vatrat e tjera vijojnë të jenë nën monitorimin e strukturave të emergjencave dhe shërbimeve në terren.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






