

KSAMIL, 22 gusht 2026 – Zbardhen dëshmitë e dhëna para hetuesve nga dy shtetasit turq, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Parlak, të cilët ndodhen në masën e sigurisë “Arrest me burg” për dyshimin se ndihmuan Sokrat Lipan alias Sokrat Vata të largohej pas vrasjes së turistit portugez 20-vjeçar, Luis Miguel Varela Mendez.
Sipas dëshmive të bëra publike, Vata u fsheh në bagazhin e automjetit me të cilin udhëtonin dy shtetasit turq në drejtim të Tiranës. Ata u ndaluan nga policia në Levan të Fierit.
Dëshmia e Nuh Mahmutoglu
Para hetuesve, Mahmutoglu ka deklaruar se ishte telefonuar nga Sokrati, i cili i kishte thënë se kishte bërë një aksident. Kur shkoi ta takonte, sipas dëshmisë së tij, Vata i tregoi se ishte përfshirë në një konflikt.
“Sokratin e futa në bagazh të makinës dhe gjatë rrugës për në Tiranë na ka kapur policia”, mësohet të ketë deklaruar Mahmutoglu.
Sipas tij, vendimi për t’u larguar është marrë pasi ai kishte diskutuar me Vatën për situatën. Mahmutoglu ka deklaruar gjithashtu se veprimin e ka kryer pa ia treguar të dashurës së tij, Ezgi Parlak.
Dëshmia e Ezgi Parlak
Parlak ka deklaruar se Mahmutoglu e kishte njohur përmes Instagramit gjatë pushimeve në Shqipëri, pasi ai merrej me dhënien e automjeteve me qira.
Në lidhje me ngjarjen, ajo ka pretenduar se nuk kishte dijeni se Vata ndodhej në automjet gjatë udhëtimit drejt Tiranës.
Sipas dëshmisë së saj, gjatë rrugës dikush ka telefonuar Mahmutoglun dhe, pak para se automjeti të ndalohej nga policia, i ka thënë: “Shiko se ke polici përpara”.
Në atë moment, sipas Parlak, Mahmutoglu i ka treguar se në bagazh ndodhej Sokrat Vata.
Dëshmia e Florian Cetinës
Në dosjen hetimore është përfshirë edhe dëshmia e Florian Cetinës, i cili ka treguar versionin e tij për nisjen e konfliktit në “Principote”.
Ai ka deklaruar se kishte parë mikun e tij, Tourpal, duke folur me zë të lartë, kur pranë tij ishte afruar një person me flokë kaçurrela, i cili i kishte kërkuar të ulte zërin. Sipas dëshmisë, situata më pas ishte përshkallëzuar në konflikt fizik.
Cetina ka deklaruar se në përleshje u përfshinë edhe persona të tjerë, mes tyre miqtë e tij dhe punonjës të lokalit. Ai ka thënë se gjatë konfliktit kishte parë mikun e tij, Luis Miguel Varela Mendez, me këmishën e gjakosur, ndërsa personat që e kishin goditur ishin larguar me vrap drejt lokalit.
Për personin që dyshohet se e goditi me thikë 20-vjeçarin portugez, Cetina ka dhënë një përshkrim dhe ka deklaruar se e ka identifikuar përmes fotografive si personin me flokë të gjata dhe veshje të bardhë.
Hetimet për vrasjen e turistit portugez vijojnë, ndërsa dëshmitë e personave të përfshirë po administrohen nga grupi hetimor për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësinë e secilit person.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






