

KSAMIL, 22 gusht 2026 – Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e turistit portugez 20-vjeçar, Luis Miguel Varela Mendes, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 18 gushtit në Ksamil.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, konflikti ka zgjatur rreth gjashtë minuta, nga ora 05:14 deri në 05:20. Përplasja nisi pas përfundimit të një feste në lokalin “Principote” dhe vijoi në zonën e plazhit “Paradise”.
Konflikti dhe përpjekja për t’u shpëtuar sulmit
Pamjet filmike tregojnë disa turistë që dalin nga lokali, ndërsa më pas në vendngjarje shfaqen Sokrat Lipan alias Sokrat Vata dhe David Heurtevent. Fillimisht debati nis me shtyrje, por situata përshkallëzohet dhe kthehet në përplasje fizike.
Rreth orës 05:17, Mendes ndërhyn duke shtyrë Vatën. Ky i fundit, së bashku me Heurtevent, dyshohet se e godet të riun. Në përpjekje për t’u larguar nga konflikti, 20-vjeçari futet në det.
Pak sekonda më vonë, ai del nga uji me bluzën e gjakosur dhe drejtohet drejt shezlloneve. Sipas hetimeve, Vata dyshohet se e ka goditur disa herë me thikë, ndërsa Heurtevent e ka goditur me grushte.
Heurtevent është shpallur në kërkim. Ndërkohë, pamjet tregojnë Vatën duke u kthyer drejt “Principote” rreth orës 05:20, me rrobat e gjakosura.
11 persona të arrestuar
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Në pranga janë vënë Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, i dyshuar si autor i vrasjes; shtetasit turq Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak, të dyshuar se e ndihmuan Vatën të largohej nga vendngjarja; katër kamarierë të “Principote”, si dhe persona që shërbenin në sigurinë e lokalit.
Sipas policisë, disa prej kamarierëve dyshohet se kanë goditur me grushte viktimën gjatë konfliktit. Ndërkohë, pjesëtarët e sigurisë akuzohen se nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe nuk kanë njoftuar policinë pas ngjarjes.
Në kërkim janë shpallur David Heurtevent dhe pronari i lokalit “Principote”, Bekim Bulica, i cili dyshohet për moskallëzim të krimit.
Autori: “Thikën ia mora në përpjekje për vetëmbrojtje”
Sokrat Vata është lënë në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Para gjykatës, ai ka shprehur pendesë dhe u ka kërkuar falje familjarëve të viktimës.
Në dëshminë e tij, Vata ka pretenduar se konflikti nisi pasi grupi i turistëve të huaj kishte sharë dhe goditur stafin, ndërsa ai ka deklaruar se thikën ia kishte marrë viktimës gjatë përpjekjes për ta neutralizuar, duke pretenduar se veproi në kushtet e vetëmbrojtjes.
Gjykata ka caktuar gjithashtu masa sigurie për personat e tjerë të proceduar. Dy shtetasit turq, Ezgi Perlak dhe Nuh Mahmutoglu, janë lënë në burg, ndërsa tre kamarierë janë lënë në burg për 45 ditë. Për disa prej pjesëtarëve të sigurisë dhe një kamarier tjetër është caktuar masa “Detyrim për paraqitje”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe përgjegjësisë së secilit prej personave të përfshirë vijojnë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






