

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka rrëzuar politikën e administratës së Donald Trump për pezullimin e lëshimit të vizave emigruese për shtetasit e 75 vendeve, duke e konsideruar masën në kundërshtim me ligjin federal të emigracionit.
Vendimi është dhënë të premten nga gjyqtarja federale Jeannette Vargas në Manhattan dhe lidhet me një politikë të Departamentit amerikan të Shtetit, të shpallur në janar.
Sipas gjykatës, administrata Trump kishte tejkaluar kompetencat ligjore të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, duke pezulluar lëshimin e vizave mbi bazën e shtetësisë së aplikantëve.
Shqipëria në listën e vendeve të prekura
Mes 75 shteteve të prekura nga pezullimi ishte edhe Shqipëria. Lista përfshinte gjithashtu Bosnjë-Hercegovinën, Brazilin, Kolumbinë, Uruguain, Pakistanin dhe Bangladeshin, si dhe dhjetëra shtete të tjera nga Afrika, Lindja e Mesme, Azia dhe Karaibet.
Vendimi i gjykatës erdhi pas një padie të ngritur nga organizata për të drejtat e emigrantëve dhe disa aplikantë për viza, të cilët kundërshtuan pezullimin e procedurave.
Gjyqtarja Vargas vlerësoi se ndalimi i vizave vetëm mbi bazën e kombësisë nuk përputhej me kuadrin ligjor amerikan të emigracionit dhe e konsideroi politikën të paligjshme.
Vendimi përbën një goditje ligjore ndaj politikës së administratës Trump për kufizimin e lëshimit të vizave dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt te procedurat e aplikantëve nga vendet e përfshira në listën e pezullimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






