

Detaje të reja nga dosja hetimore për vrasjen e turistit portugez në Ksamil hedhin dritë mbi lëvizjet e Sokrat Vatës pas ngjarjes. Sipas dëshmisë së një DJ-je të lokalit “Principote”, Vata i është drejtuar atij menjëherë pas incidentit duke i kërkuar ta transportonte në spital.
Në dosjen hetimore, shtetasi A.Z., i cili ka punuar si DJ në “Principote”, është marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale.
Sipas dëshmisë së tij, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të 18 gushtit 2026. A.Z. ka treguar se ka parë rojet e sigurisë duke vrapuar drejt hyrjes së klubit, ndërsa pak më vonë një grup kolegësh të shqetësuar i kanë kërkuar që të merrte Sokrat Vatën dhe ta çonte në spital.
“Ishte i gjakosur kokë e këmbë”
DJ-ja ka deklaruar se Vata iu afrua duke qenë i gjakosur dhe duke mbajtur dorën poshtë bluzës, në pjesën e barkut.
Sipas dëshmisë së dhënë para hetuesve, ai i kërkoi disa herë ta çonte në spital dhe të nxitonte.
A.Z. ka njoftuar më pas menaxherin për situatën dhe ka shkuar të marrë automjetin në parkim. Kur është kthyer, sipas dëshmisë, ka parë një grup turistësh duke i dhënë ndihmë një personi që ndodhej i shtrirë në tokë.
Më pas, Vata ka hipur në pjesën e pasme të automjetit dhe ata janë nisur në drejtim të qendrës shëndetësore të Ksamilit.
“Pas dy-tre minutash më tha: Ndalo këtu”
Gjatë rrugës, sipas dëshmitarit, Vata i ka kërkuar të vazhdonte drejt. Megjithatë, pas disa minutash, kur automjeti ka hyrë në një rrugë me kalldrëm, ai i ka kërkuar DJ-së të ndalonte.
Sipas dëshmisë, Vata ka zbritur nga automjeti dhe është larguar zbathur.
A.Z. ka deklaruar gjithashtu se, disa metra larg makinës, ka parë Vatën të hidhte me forcë një send, pa specifikuar në dëshmi se çfarë ishte objekti.
Dëshmia është pjesë e materialeve të dosjes hetimore dhe pritet të vlerësohet nga organet e drejtësisë së bashku me provat e tjera të administruara për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






