Transmetuar më 22-08-2026, 15:20

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Anchor”, duke sekuestruar rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC, në Portin e Durrësit.

Sipas autoriteteve, lënda narkotike dyshohet se ishte trafikuar nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe kishte një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 1 milion eurosh.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar tre shtetas kosovarë: Taulant Duraku, 32 vjeç, Luan Gashi, 26 vjeç, dhe Besfort Jaka, 40 vjeç. Ndërkohë, dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.

Kanabisi dyshohet se vinte nga Kanadaja

Sipas hetimeve të policisë, lënda narkotike dyshohet se sigurohej në Ontario të Kanadasë dhe transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në një hapësirë të modifikuar posaçërisht në një automjet të porositur për blerje në Kanada.

Në Portin e Durrësit janë sekuestruar 127 pako, me një peshë totale prej rreth 80 kilogramësh kanabis “Gelato”.

Nga hetimet dyshohet se, pas mbërritjes në Shqipëri, lënda narkotike do të shpërndahej në territorin shqiptar dhe më tej në Kosovë.

Sekuestrohen edhe automjete, celularë dhe para

Gjatë operacionit policia ka sekuestruar gjithashtu 3 automjete, 5 aparate celularë dhe rreth 11 mijë euro cash.

Sipas autoriteteve, personat e përfshirë dyshohet se kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike.

Tre të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.

Në kërkim janë shpallur H.C., lindur dhe banues në Kukës, dhe G.O., lindur në Kosovë dhe banues në Ontario, Kanada, të dyshuar për të njëjtën vepër penale.

Operacioni u zhvillua nga strukturat e Policisë së Durrësit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Forcën e Posaçme Operacionale, strukturat doganore dhe Prokurorinë e Durrësit.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, si dhe për dokumentimin e plotë të rolit të secilit prej tyre.

Njoftimi i policisë

Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike kanabis nga Kanadaja drejt Shqipërisë. Sekuestrohen rreth 80 kg kanabis e llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC dhe vlerë tregu rreth 1 milion euro. Arrestohen 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, strukturat e Doganave, si dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Anchor”, rezultat i një hetimi të thelluar të zhvilluar me metoda speciale të hetimit, në kuadër të një procedimi penal.

Si rezultat i veprimeve hetimore intensive dhe të koordinuara, u bë i mundur dokumentimi i një skeme të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim, ku u sekuestruan, në Portin e Durrësit, 127 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e njohur në treg me emërtimin “Gelato”, me peshë totale rreth 80 kilogramë dhe me përmbajtje të lartë THC.

Gjithashtu, u sekuestruan 3 automjete, 5 aparate celularë dhe rreth 11 000 euro cash. Vlera e lëndës narkotike të sekuestruar përllogaritet në treg në rreth 1 milion euro.

Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Ontario, Kanada, dhe transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në një vend të posaçëm të modifikuar në një automjet të porositur për blerje në Kanada.

Po nga hetimet dyshohet se, pas mbërritjes në Shqipëri, lënda narkotike shpërndahej më tej në territorin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Në vijim të operacionit, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i 3 shtetasve

T. D., 32 vjeç, L. G., 26 vjeç, dhe B. J., 40 vjeç, të tre shtetas kosovarë.

Këta shtetas u arrestuan si të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.

Gjithashtu, në kuadër të këtij procedimi penal, u shpallën në kërkim shtetasit H. C., lindur dhe banues në Kukës, dhe G. O., lindur në Kosovë dhe banues në Ontario, Kanada, të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë, dyshohet se personat e përfshirë kishin role të përcaktuara në sigurimin, fshehjen, transportimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike, nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe më tej drejt Kosovës.

Operacioni “Anchor” është rezultat i një hetimi të zhvilluar në vijimësi dhe i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet strukturave policore, autoriteteve doganore dhe organit të Prokurorisë.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në koordinim me Prokurorinë, vijon intensivisht veprimet hetimore me qëllim identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe dokumentimin e plotë të rolit të secilit prej tyre. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit