

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar sërish nismën për krijimin e një shteti bektashi në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një projekt që bie ndesh me Kushtetutën dhe karakterin laik të shtetit shqiptar.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha tha se Partia Demokratike ka mbajtur prej kohësh një qëndrim kundër kësaj nisme, duke iu referuar deklaratave të tij të bëra që në vitin 2024 dhe qëndrimit të përsëritur të PD-së gjatë vitit 2025.
Sipas Berishës, krijimi i një shteti të veçantë bektashi do të cenonte traditën e bashkëjetesës fetare në Shqipëri dhe do të rrezikonte të nxiste përçarje mbi baza fetare.
“Ky është një akt në radhë të parë kundër bektashizmit shqiptar”, deklaroi Berisha, duke theksuar kontributin historik të komunitetit bektashi në çështjen kombëtare shqiptare.
Ai përmendi edhe figurat e vëllezërve Frashëri dhe rolin që, sipas tij, bektashinjtë kanë luajtur në forcimin e identitetit kombëtar dhe në përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë.
Berisha: Shqipëria është shtet laik
Berisha argumentoi se nisma bie në kundërshtim me karakterin laik të Shqipërisë, duke theksuar se toleranca dhe bashkëjetesa ndërfetare janë pjesë e rëndësishme e identitetit të vendit.
Sipas tij, bektashinjtë shqiptarë kanë kontribuar në ndërtimin e shtetit shqiptar dhe nuk kanë kërkuar krijimin e një shteti të veçantë fetar.
“Kanë frymëzuar unitetin kombëtar dhe kjo aventurë, e cila, siç kemi deklaruar më parë, vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, vjen në kundërshtim të hapur me karakterin laik të shtetit shqiptar”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha e cilësoi nismën si “antikushtetuese, antishqiptare dhe antikombëtare”, duke përsëritur se Partia Demokratike do të vijojë të mbajë qëndrim kundërshtues ndaj saj.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






