

Prokuroria e Qarkut në Split ka ngritur aktakuzë për spiunazh ndaj një ish-piloti ushtarak të Forcave Ajrore të Kroacisë dhe partneres së tij, shtetase serbe nga Kosova. Të dy ishin arrestuar në gusht të vitit të kaluar, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari spiunazhi.
Me ngritjen e aktakuzës, hetimet ndaj tyre kanë përfunduar dhe çështja tashmë pritet të vijojë në fazën gjyqësore.
Sipas Prokurorisë kroate, ish-piloti, i identifikuar me inicialet J.I., dyshohet se gjatë kohës që shërbente në Forcat e Armatosura të Kroacisë, nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022, i ka dorëzuar në mënyrë të përsëritur partneres së tij, A.M., informacione të klasifikuara.
Prokuroria pretendon se ai i kishte siguruar këto të dhëna ose kishte pasur qasje në to për shkak të detyrës ushtarake dhe se ishte në dijeni që partnerja e tij po i mblidhte informacionet në interes të një shteti të huaj.
Sipas akuzës, A.M. më pas ua ka përcjellë të dhënat disa adresave jashtë Kroacisë.
Informacione për KFOR-in dhe veriun e Kosovës
Një pjesë e dyshimeve lidhet me periudhën kur ish-piloti kroat kishte shërbyer në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.
Ai dyshohet se i ka transmetuar partneres së tij informacione mbi lëvizjet e trupave të KFOR-it, situatën e sigurisë dhe zhvillimet në veri të Kosovës.
Sipas raportimeve të mediave kroate, këto të dhëna dyshohet se më pas i janë përcjellë Listës Serbe.
Në mesin e informacioneve të dyshuara për t’u transmetuar kanë qenë edhe të dhëna mbi lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës në fund të vitit 2022, periudhë kur situata e sigurisë në këtë zonë ishte veçanërisht e tensionuar.
Masat e sigurisë ndaj të akuzuarve
Prokuroria e Qarkut në Split i ka kërkuar gjykatës vazhdimin e masave ndaj A.M., duke argumentuar se ekziston rreziku i arratisjes.
Ndërkohë, ish-piloti ishte liruar nga paraburgimi në fund të tetorit të vitit të kaluar, me masa paraprake, përfshirë ndalimin e kontaktit me një prej dëshmitarëve.
Pas nisjes së procedurës ndaj tij, ai është larguar edhe nga shërbimi ushtarak.
Akuzat ndaj të dyshuarve tashmë do të shqyrtohen në procesin gjyqësor, ndërsa përgjegjësia penale e tyre do të përcaktohet vetëm me një vendim përfundimtar të gjykatës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






