

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, ka deklaruar se mbledhja e ardhshme e Këshillit Kombëtar këtë të enjte do të përbëjë një moment mjaft të rëndësishëm për përcaktimin e veprimtarisë dhe qëndrimeve të mëtejshme të forcës politike që ai drejton.
Sipas Berishës, ndryshimi i nevojshëm brenda partisë do të ketë në epiqendër anëtarin e thjeshtë. Ai nëvizoi se pas ripërtëritjes së gjithanshme të mekuadrit drejtues në Kuvendin e PD-së, hapi i radhës është modernizimi, rritja e hapësirave për kontribut dhe përcjellja e këtij procesi ripërtëritës në çdo nivel të strukturave organizative.
"Ajo që duhet të shtoj me këtë rast është një domosdoshmëri absolute për një ndryshim të madh të PD-së. Dhe ky ndryshim do ketë në epiqendër anëtarin e saj. Dita e enjte është një ditë e rëndësishme për partinë. Mblidhet Këshilli Kombëtar, pikërisht për të caktuar veprimtarinë dhe qëndrimet e mëtejshme të PD në përputhje me direktivat e Kuvendit të saj. Kuvendi i saj, siç e dini, dha disa mesazhe shumë të rëndësishme. Mesazhe konkrete në ripërtëritje. Dhe e vërteta është se pavarësisht se çfarë komentojnë, por strukturat drejtuese të kësaj partie u ripërtërinë më shumë se kurrë në historinë e saj. Duhet të pranojmë se kjo ripërtëritje është vetëm një hap, pozitiv pa diskutim, por hapi tjetër është që potencialet e këtij ndryshimi, i këtyre individëve, i këtyre drejtuesve të shndërrohen në vlera për PD. Dhe këto shndërrohen në vlera vetëm në saj të veprimit të secilit prej tyre. Dhe në këtë kontekst, u siguroj se i gjithë përqendrimi i kësaj force politike do jetë tek anëtari i thjeshtë. Si të komunikohet më shumë dhe më mirë me të. Si të zgjerohet hapësira e tij për kontributin e tij. Si të ripërtërihemi. Në qoftë se u ripërtërinë forumet, kjo duhet të përcillet në të gjitha nivelet. Ripërtëritja duhet parë si një kusht i ekzistencës tonë. U siguroj se gjatë kësaj vere të nxehtë nonstop janë bërë parapërgatitje për të kaluar në këtë fazë që është komunikimi, modernizimi, organizimi i ri i PD-së," tha Berisha.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






