

Zbardhet dëshmia e Leimoeiv, shokut të 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes, i cili u vra me thikë gjatë një konflikti në Ksamil. Dëshmitari ka rrëfyer dinamikën e përleshjes me stafin e sigurisë dhe punonjësit e lokalit, duke përshkruar momentet e kaosit dhe përpjekjet e tij për t’i shpëtuar jetën mikut të tij.
Sipas dëshmisë së tij, konflikti nisi kur një person që fliste pak frëngjisht iu afrua me fyerje dhe kërcënime, duke goditur fillimisht me thikë shokun e tyre, Tourpal. Më pas, në përleshje u përfshinë edhe persona të tjerë, mes të cilëve një burrë me flokë të gjatë gështenjë dhe mjekër, i cili gjithashtu mbante një thikë në dorë dhe u sulmua drejt viktimës.
Leimoeiv ka treguar se për shkak të kaosit dhe lëvizjeve të shumta nuk e ka parë momentin e saktë të goditjes fatale ndaj Luis Miguel. Megjithatë, menjëherë pas sulmit, ai ka ndërhyrë për t’i dhënë ndihmën e parë 20-vjeçarit duke i ngjeshur një bluzë mbi plagë për të ndaluar gjakderdhjen.
“Aty ka ardhur një person, i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë gri që fliste pak frëngjisht, i cili na thotë qetësohuni, duke na kërcënuar dhe sharë nga nëna. Ai më pas goditi me thikë shokun tim Tourpal. Ne u përfshimë në konflikt. Gjatë konfliktit erdhën dhe persona të tjerë dhe kam parë një person i veshur me ngjyrë bezhë në të bardhë me flokë të gjata gështenjë, me pak mjekër, i cili iu drejtua Tourpalit me thikë dhe më pas iu drejtua Luis Miguelit. Ka pasur shumë lëvizje e persona dhe nuk e kam parë momentin kur ka goditur Luis Miguel. Unë më pas i kam dhënë ndihmën e parë shokut tim duke i vendosur një bluzë te plaga”, është shprehur Leimoeiv.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






