

Policia e Mirditës ka vënë në pranga një 62-vjeçar, i cili u kap në flagrancë teksa po ndezte një vatër zjarri në fshatin Rraja e Valës. Arrestimi i shtetasit A. D., banues në të njëjtin fshat, u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Piromani 2”, pas një pune 48-orëshe gjurmuese në terren përmes përdorimit të dronëve dhe informacioneve operative.
I arrestuari, i cili rezulton me precedent të mëparshëm për të njëjtën veprimtari kriminale, dyshohet se gjatë ditëve të fundit ka ndezur edhe pesë vatra të tjera zjarri, duke shkaktuar shkatërrimin nga flakët të rreth 15 hektarëve sipërfaqe pyjore dhe mjedisore. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Mësohet se shërbimet zjarrfikëse po vijojnë ndërhyrjen për izolimin e plotë të flakëve në zonë. Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve, nën drejtimin e Prokurorisë, po vazhdojnë veprimet hetimore për të dokumentuar të gjithë aktivitetin e 62-vjeçarit dhe për të verifikuar përfshirjen e tij të mundshme në raste të tjera zjarrvënieje në territorin e Bashkisë Mirditë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






