Transmetuar më 22-08-2026, 08:53

Prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për shqyrtim gjyqësor çështjen ndaj Tejlor Tivarit, i cili akuzohet për “Vrasje me dashje” lidhur me vrasjen me thikë të shokut të tij, Valbon alias Marko Beqiraj. Bashkë me të, i pandehur është marrë edhe shtetasi Xhenis Dakoli për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në shtator të vitit 2025 në një apartament pranë tregut të fruta-perimeve në Durrës. Sipas dosjes hetimore, zanafilla e krimit lidhet me shfaqjen e ndjenjave sentimentale nga ana e viktimës ndaj autorit.

Dëshmia e autorit dhe dinamika e ngjarjes

Takimi dhe konflikti: Autori Tejlor Tivari ka deklaruar se e njihte viktimën prej blerjes së lëndëve narkotike prej tij. Më 24 shtator 2025, ai ka shkuar në banesën e Beqirajt për të blerë drogë. Sipas dëshmisë së Tivarit, viktima është zhveshur dhe e ka joshur për të kryer marrëdhënie seksuale, veprim që autori e ka refuzuar duke e shtyrë.

Përleshja dhe vrasja: Pas refuzimit, Beqiraj e ka kërcënuar Tivarin me një thikë me dhëmbëzi. Gjatë kacafytjes, Tivari ka arritur t’ia marrë thikën viktimës (e cila është thyer gjatë përleshjes) dhe më pas ka marrë një thikë tjetër në kuzhinë, duke e goditur Marko Beqirajn 11 herë në gjoks, qafë dhe kokë.

Roli i bashkëtëpandehurit: Pas krimit, Tivari ka kërkuar ndihmën e shokut të tij, Xhenis Dakoli, i cili e ka marrë me makinë dhe e ka dërguar në shtëpi. Dakoli nuk ka njoftuar Policinë e Durrësit, megjithëse ishte vënë në dijeni se Tivari kishte bërë një "sherr të keq".

I shtyrë nga sugjerimi i nënës së tij pasi i rrëfeu ngjarjen në mbrëmje, Tejlor Tivari është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës, ku ka pranuar autorësinë dhe ka treguar detajet e krimit, ndërsa Policia vërejti edhe dëmtime fizike në duart e tij.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit