

212 arkitektë, urbanistë, planifikues, inxhinierë, pedagogë dhe studiues janë bashkuar në një deklaratë publike, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si po merren vendimet për territorin, bregdetin dhe zonat me rëndësi natyrore në Shqipëri.
Nisma, e nxitur nga zhvillimet dhe protestat në Zvërnec dhe Nartë, shkon përtej një projekti të vetëm. Profesionistët kërkojnë që vendimmarrja mbi territorin të jetë transparente, e argumentuar dhe e bazuar në ligj, planifikim dhe ekspertizë.
Në qendër të deklaratës është pyetja: “Kush vendos, mbi bazën e cilit instrument planifikimi, përmes cilës procedure ligjore dhe në interes të kujt?”
Arkitektët kundërshtojnë përqendrimin e vendimmarrjes dhe dobësimin e rolit të autoriteteve vendore, transparencës dhe pjesëmarrjes së publikut. Sipas tyre, planifikimi territorial rrezikon të kthehet në një mekanizëm që thjesht formalizon vendime të marra paraprakisht.
Një tjetër shqetësim lidhet me përfshirjen e profesionistëve të huaj në projekte të rëndësishme, ndërsa ekspertiza vendase, sipas firmëtarëve, po lihet në plan të dytë.
“Prestigji i autorit të projektit nuk mund të zëvendësojë ligjshmërinë, transparencën dhe cilësinë e tij”, thuhet në deklaratë.
Profesionistët nuk kundërshtojnë bashkëpunimin me arkitektë të huaj, por kërkojnë që ai të shoqërohet me forcimin e ekspertizës shqiptare dhe përfshirjen e saj në të gjitha fazat e vendimmarrjes.
Në deklaratë kërkohet gjithashtu që konsultimet publike, vlerësimet mjedisore dhe vlerësimet strategjike të mos kryhen thjesht si procedura formale pasi projektet janë vendosur, por të kenë ndikim real në vendimmarrje.
Arkitektët kërkojnë edhe mekanizma të pavarur për vlerësimin teknik të projekteve me ndikim të madh, si dhe mbrojtjen e sigurisë juridike të pronës private dhe publike.
Për firmëtarët, debati i hapur nga çështja e Zvërnecit nuk është vetëm një debat për një projekt të caktuar. Është një debat për mënyrën se si Shqipëria vendos për territorin e saj, për rolin e ekspertizës, transparencën, mbrojtjen e mjedisit dhe interesin publik.
Ata e lidhin këtë proces edhe me shtetin e së drejtës dhe integrimin evropian, duke argumentuar se zhvillimi i qëndrueshëm kërkon institucione të forta, siguri juridike, ekspertizë profesionale dhe pjesëmarrje reale të komuniteteve. Citizens
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






