

Autoritetet shëndetësore franceze kanë ngritur alarmin për më shumë se 40 mijë prezervativë të papërshtatshëm, të cilët dyshohet se janë shitur online gjatë muajve të fundit.
Agjencia franceze për mbrojtjen e konsumatorit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë u kanë bërë thirrje personave që mund t’i kenë përdorur këto produkte të testohen për sëmundje seksualisht të transmetueshme (SST).
Sipas autoriteteve, produktet mund të paraqesin “rreziqe serioze për shëndetin dhe sigurinë e përdoruesve”, përfshirë shtatzënitë e padëshiruara dhe transmetimin e SST-ve.
Hetimet identifikuan rreth 30 lloje prezervativësh që nuk kishin markimin e detyrueshëm CE të Bashkimit Evropian dhe që nuk kishin kaluar kontrollet e kërkuara të përputhshmërisë.
Shumica e produkteve ishin ofruar nga furnizues aziatikë përmes platformave të mëdha të shitjeve online. Autoritetet urdhëruan platformat që t’i hiqnin menjëherë reklamat, ndërsa deri tani janë hequr 36 lista produktesh.
Problemi është konstatuar edhe te disa produkte që mbanin markën CE dhe shiteshin në dyqane e farmaci. Kontrollet zbuluan dy produkte me defekt: njëri kishte rrezik çarjeje, ndërsa në tjetrin u konstatuan vrima.
Alarmi francez është pjesë e një operacioni më të gjerë europian. Në korrik, autoritetet europiane zbuluan gjithashtu më shumë se 200 mijë prezervativë të falsifikuar, të shitur nën logon e një marke të njohur.
Rasti vjen në një periudhë kur infeksionet seksualisht të transmetueshme po rriten ndjeshëm në Evropë. Sipas të dhënave të ECDC-së, në vitin 2023 u regjistruan rreth 100 mijë raste të konfirmuara të gonorresë, 31% më shumë se në vitin 2022 dhe mbi 300% më shumë se në vitin 2014.
Autoritetet u bëjnë thirrje konsumatorëve që dyshojnë se kanë përdorur produkte të prekura të mos e neglizhojnë situatën dhe të kërkojnë këshillim mjekësor dhe testim për SST.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






