

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidentit të ndodhur në Pustec, ku gjatë një aktiviteti kulturor në prani të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nuk u luajt Himni Kombëtar Shqiptar.
Rama e cilësoi ngjarjen si një “parodi domethënëse” për dallimet në mënyrën e të kuptuarit të vlerave dhe bashkëjetesës në rajon.
Sipas Ramës, kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, kishte kërkuar paraprakisht që në aktivitet të luhej edhe himni shqiptar, por kërkesa ishte injoruar. Kryebashkiaku më pas kërkoi ndjesë për situatën.
“U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën”, shkruan Rama.
Kryeministri theksoi se Shqipëria i konsideron minoritetet pjesë të pasurisë së saj kombëtare dhe se qytetarët minoritarë duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe liri si të gjithë qytetarët e tjerë.
Në vijim, Rama përdori një gjuhë të ashpër ndaj asaj që e cilësoi si “nacional-folklorizëm ballkanik”, duke deklaruar se incidente të tilla nuk cenojnë sovranitetin apo stabilitetin politik të Shqipërisë.
“Nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo ‘diasporë’ të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund.”
Rama u shpreh gjithashtu kundër çdo reagimi reciprok me të njëjtën logjikë nacionaliste, duke nënvizuar se Shqipëria nuk duhet të ulë standardin e saj institucional për shkak të incidenteve të tilla.
“Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit.”
Edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kishte reaguar më herët, duke e cilësuar mosrespektimin e himnit shqiptar si një mungesë serioze respekti ndaj simboleve kombëtare dhe rregullave të protokollit institucional.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






