

Detaje të reja janë zbardhur nga dëshmia e shtetasit turk Nuh Mahmutoglu, i cili ndodhet në arrest pas ngjarjes së rëndë në Ksamil, ku humbi jetën një turist portugez 21-vjeçar.
Mahmutoglu ka deklaruar para gjykatës se nuk kishte dijeni për vrasjen dhe se kishte shkuar të merrte Sokrat Vatën pasi ky i fundit e kishte telefonuar, duke i thënë se kishte bërë një aksident me motor.
Sipas dëshmisë së tij, pasi e mori me makinë, Vata i ka thënë se donte të flinte dhe është futur në bagazhin e automjetit.
“Sokrati më ka telefonuar dhe më ka thënë: ‘Kam bërë aksident me motor’. Kam shkuar për ta marrë. Sokrati më ka thënë ‘dua të fle gjumë’ dhe ka hyrë në bagazh.”
Mahmutoglu ka këmbëngulur se nuk e dinte çfarë kishte ndodhur në Ksamil. Ai më pas ka vijuar rrugën dhe ka marrë edhe një vajzë turke, e cila gjithashtu ka deklaruar se nuk ishte në dijeni se Vata ndodhej në bagazh.
Ndërkohë, vetë Vata ka pranuar para gjykatës se ka goditur me thikë turistin, por pretendon se gjithçka ndodhi gjatë një përleshjeje masive dhe se veproi në kushtet e vetëmbrojtjes.
Gjykata e Sarandës ka vendosur “arrest në burg” për Sokrat Vatën dhe dy shtetasit turq, Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Parlak. Për disa prej personave të tjerë të ndaluar janë caktuar masa më të lehta.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse personat që ndihmuan Vatën të largohej kishin dijeni për krimin dhe përfshirjen e tij në ngjarje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






