

Këtë të premte u zhvillua protesta e 83-të në Tiranë, e organizuar nga aktivistë dhe qytetarë, të cilët kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës politike.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga nisën marshimin drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Më pas, ata u grumbulluan përpara Kryeministrisë, ku vijuan thirrjet kundër qeverisë.
Tepelena: 15 bashki rrezikojnë të shkrihen
Aktivisti Andi Tepelena iu drejtua kryebashkiakëve dhe qytetarëve të bashkive që preken nga reforma territoriale, duke u bërë thirrje që t’i bashkohen protestave kundër qeverisë.
Sipas tij, janë 15 bashki që pritet të shkrihen, ndërsa ai paralajmëroi për pasojat që mund të ketë një ndryshim i tillë për komunitetet lokale.
“Ju bëj thirrje kryetarëve të bashkive që i prek reforma. Janë 15 bashki që priten të shkrihen. Në vitin 2014, fundin që patën disa bashki, si ajo e Fushë-Krujës, e Sukthit, që janë të shpopulluara. Thirrja ime është që kryetarët t’u bashkohen sheshit dhe protestuesve. Keni një detyrim ndaj qytetarëve që ju kanë mbështetur dhe ndaj vendlindjes së tyre. Përpara se të kenë të njëjtin fat që kanë pasur bashkitë e tjera në 2014, janë në kohë t’i bashkohen revoltës dhe të bashkojnë bashkitë e tyre. Të bashkohen edhe qytetarët”, tha ai.
Protestuesit mbanin në duar pankarta me mesazhe kundër kryeministrit Edi Rama. Në njërën prej tyre shkruhej “Rama out”, ndërsa në një tjetër “Dorëheqja ka emër”.
Marshimi vijoi në rrugët e Tiranës, ndërsa protestuesit brohoritën në mënyrë të përsëritur: “Dorëheqje!”
Pjesë e kërkesave të protestuesve janë gjithashtu rrëzimi i klasës politike dhe krijimi i një qeverie teknike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






