

Sokrat Vata, i dyshuari për vrasjen e 21-vjeçarit portugez në Ksamil, ka pranuar para Gjykatës së Sarandës se ka goditur me thikë turistin, ndërsa ka deklaruar se nuk e kujton qartë momentin e goditjes. Vata u ka kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës dhe ka shprehur pendesë për ngjarjen.
Gjatë seancës gjyqësore, Vata ka dhënë versionin e tij për dinamikën e konfliktit, duke pretenduar se ngjarja ka ndodhur gjatë një përleshjeje masive me një grup turistësh të huaj.
Ai ka deklaruar se gjithçka nisi brenda një lokali, ku turistët po bënin zhurmë dhe një prej personave që shoqëronte Vatën u kërkoi të ruanin qetësinë.
Sipas dëshmisë së tij, pas një përplasjeje verbale, situata u përshkallëzua në konflikt fizik dhe përleshja vijoi jashtë ambienteve të lokalit.
Vata pretendon se njëri prej turistëve kishte një thikë, të cilën ai ia kishte marrë pasi e kishte neutralizuar. Më pas, sipas tij, një tjetër turist e ka goditur me shkelm në nofull, duke e rrëzuar në tokë.
Ai ka deklaruar se në atë moment ka reaguar instinktivisht për t’u mbrojtur, por nuk e ka kuptuar se kishte goditur me thikë 21-vjeçarin.
“U kërkoj ndjesë familjarëve të viktimës, u shpreh ngushëllimet e mia, jam penduar për atë që ka ndodhur. Një grup turistësh francezë ishin brenda në lokal. Ata po bënin zhurmë, shoku im u kërkoi që të mbanin qetësi, por ata nuk u bindën dhe filluan të na shanin. U afruam më afër dhe u kërkuam sërish të mbanin qetësi, por ata filluan të na godisnin. Gjatë përleshjes fizike kemi dalë në pjesën e jashtme. Njëri nga ata kishte një thikë. E kam neutralizuar dhe i kam marrë thikën. Në këtë moment, dikush nga turistët e huaj më goditi me shkelm në nofull. Aty jam rrëzuar dhe ata kanë tentuar të më godasin sërish. Instinktivisht kam lëvizur dorën për t’u mbrojtur. Nuk e kujtoj si e kam goditur, pasi isha në shok. Nuk e dija nëse ndonjëri nga ata ishte plagosur, pasi ishin shumë. Nga shoku jam larguar”, ka deklaruar Vata.
Nuh Mahmutoglu: “Vata më telefonoi dhe më kërkoi ndihmë”
Para gjykatës ka dëshmuar edhe shtetasi turk Nuh Mahmutoglu, i ndaluar pas ngjarjes.
Mahmutoglu ka deklaruar se e njihte Sokrat Vatën dhe se kishin bashkëpunuar për komunikimin me turistët, pasi ai fliste gjuhën angleze.
Sipas dëshmisë së tij, Vata e ka telefonuar rreth orës 06:30 dhe i ka kërkuar ndihmë për ta shoqëruar drejt Tiranës.
Mahmutoglu ka pretenduar se Vata i kishte thënë se ishte rrëzuar nga motori.
Ndërkohë, edhe personat e tjerë të ndaluar kanë mbajtur qëndrim mohues para trupit gjykues, duke deklaruar se nuk e kanë parë momentin kur ndodhi goditja me thikë.
Kamerat nuk fiksojnë qartë momentin e goditjes
Nga këqyrja e pamjeve filmike të administruara në kuadër të hetimit, momenti i saktë kur 21-vjeçari portugez është goditur me thikë nuk duket qartë.
Sipas pamjeve, pasi është goditur, i riu ka vijuar të ecë për disa metra dhe më pas është rrëzuar.
Ndërkohë, nga kamerat e lokalit është dokumentuar përleshja fizike, por nuk përcaktohet qartë nëse punonjësit e lokalit e kanë konstatuar se 21-vjeçari ishte plagosur dhe nuk kanë njoftuar policinë, apo nëse nuk kanë arritur ta kuptojnë në atë moment se i riu ishte goditur.
Hetimet vijojnë për të zbardhur në mënyrë të plotë dinamikën e konfliktit, momentin e goditjes dhe përgjegjësinë e secilit prej personave të përfshirë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






