Transmetuar më 21-08-2026, 18:24

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se situata e zjarreve në vend vijon të jetë problematike. Deri në orën 17:00 janë regjistruar 24 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive, 4 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është nën kontroll. Në Gojan–Gjegjan–Tërbun të Pukës vijon një operacion i përforcuar, ndërsa në Shtanë të Mirditës janë evakuuar banorët e rrezikuar.

Sipas përditësimit zyrtar, për përballimin e situatës janë angazhuar në nivel kombëtar të paktën 369 forca të strukturave vendore dhe rajonale, të mbështetura nga 270 efektivë të Forcave të Armatosura. Në total, në terren janë të angazhuar të paktën 639 forca.

Forcat e Armatosura po mbështesin operacionet edhe me 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Pukë, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit

Në Gojan–Gjegjan–Tërbun të Pukës vijon një angazhim i përforcuar me 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse.

Në terren janë angazhuar 50 efektivë të MZSH-së nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra, 14 punonjës të Shërbimit Pyjor, 68 punonjës të shërbimeve vendore, 70 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 53 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni mbështetet nga dy helikopterë të FA-së.

Situata paraqitet e përmirësuar në sipërfaqet pyjore të Gojanit, në lagjen Meshursh, Gojan të Vogël dhe Gjegjan. Megjithatë, zjarri vijon të jetë aktiv në drejtim të Gojanit të Vogël dhe zonës së Prozhemit.

Më e rënduar paraqitet situata në lagjen Pepaj, në Gojan të Madh, ku vatra është afruar pranë banesave. Deri tani raportohet se janë djegur katër banesa të pabanuara, ndërsa një banesë e banuar, e cila ndodhej në rrezik, është shpëtuar.

Për mbrojtjen e banesave janë dislokuar pesë mjete zjarrfikëse dhe 30 forca ushtarake. Aktualisht vijon ndërhyrja nga ajri me një helikopter.

Evakuohen banorët në Mirditë

Në Shtanë të Mirditës është angazhuar kapaciteti njerëzor dhe logjistik i bashkisë, ndërsa ndërhyrja mbështetet nga dy helikopterë dhe dy mjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura.

Për shkak të përhapjes së zjarrit dhe rrezikut për banesat, Policia e Shtetit ka kryer evakuimin e banorëve të rrezikuar. Në zonë është dislokuar edhe një ambulancë.

Vijon ndërhyrja në Dukat

Në Dukat të Vlorës vijon operacioni me dy automjete zjarrfikëse dhe nëntë efektivë të MZSH-së, tetë punonjës të pyjores, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura.

Ndërhyrja nga toka mbështetet nga ajri me dy avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore. Pavarësisht se vatra ka marrë shtrirje të konsiderueshme në drejtim të malit, aktualisht nuk rrezikohen banesa.

Në Dajt punohet për izolimin e vatrave

Në Dajt të Tiranës vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura. Në operacion janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura, 13 efektivë të MZSH-së, nëntë forca të AZM-së dhe një helikopter i FA-së.

Një pjesë e vatrave janë izoluar plotësisht dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Shuahet zjarri në Mal Milot

Në Mal Milot të Kurbinit, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së shtatë efektivëve të MZSH-së Kurbin, 12 forcave policore, 35 forcave bashkiake dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.

Operacioni është realizuar me mjete zjarrfikëse dhe mbështetje nga ajri me një helikopter të FA-së. Zona tashmë mbahet nën mbikëqyrje.

AKMC vijon monitorimin në të gjithë vendin

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit