

Këshilli Bashkiak i Poliçanit ka kundërshtuar projektligjin për ndryshimin e ndarjes administrative territoriale, që parashikon bashkimin e Bashkisë Poliçan me Bashkinë Berat.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme, 15 këshilltarët bashkiakë votuan kundër propozimit, ndërsa paralajmëruan se do të japin dorëheqjen nëse Parlamenti miraton shkrirjen e Bashkisë Poliçan.
Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Adriatik Zotkaj, i cili argumentoi se bashkimi me Beratin do të sillte pasoja për ofrimin e shërbimeve dhe zhvillimin e zonës. Sipas tij, banorët e Poliçanit janë shprehur kundër ndryshimit të statusit të bashkisë.
Zotkaj renditi ndër argumentet edhe aktivitetin ekonomik të zonës, duke deklaruar se aktualisht në Poliçan ushtrojnë aktivitet 318 biznese. Ai theksoi gjithashtu potencialin e zonës për zhvillimin e turizmit malor dhe industrisë.
Kryebashkiaku kundërshtoi edhe argumentet që lidhen me shërbimet publike dhe arsimin, duke paralajmëruar për rrezikun e largimit të shërbimeve nga komuniteti dhe përshpejtimit të shpopullimit.
“Do të jetë një turp për Parlamentin nëse voton pro shkrirjes së kësaj bashkie”, deklaroi Zotkaj gjatë mbledhjes.
Këshilli Bashkiak u njoh gjithashtu me raportin e komisionit të ngritur për zhvillimin e dëgjesave publike. Sipas raportit të paraqitur, banorët e zonës kanë kundërshtuar propozimin për bashkimin me Beratin.
Në përfundim të mbledhjes, projektligji për ndryshimin e ndarjes administrative territoriale u hodh në votim nga këshilltarët dhe u rrëzua me 15 vota kundër.
Megjithatë, vendimi përfundimtar mbi ndryshimin e hartës territoriale i takon Kuvendit, ku pritet të vijojë shqyrtimi i propozimit për bashkimin e Poliçanit me Beratin.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





