

Tetë operatorë të tregut të karburanteve kanë nisur betejën gjyqësore ndaj shtetit shqiptar, duke kërkuar rreth 11.8 milionë euro dëmshpërblim për humbjet që pretendojnë se u janë shkaktuar nga mënyra e përcaktimit të çmimeve nga Bordi i Transparencës.
Paditë janë depozituar në Gjykatën Administrative në mesin e muajit korrik dhe do të shqyrtohen veçmas për secilin operator. Sipas burimeve nga tregu hidrokarbur, seanca e parë për njërën prej padive pritet të zhvillohet më 19 shtator.
Në qendër të konfliktit është metodologjia e përdorur për llogaritjen e çmimit të karburanteve. Operatorët pretendojnë se Bordi i Transparencës ka përdorur çmimin FOB, i cili nuk përfshin kostot e transportit dhe sigurimit, ndërsa kompanitë, sipas tyre, blejnë karburantin mbi bazën e çmimeve CIF, ku këto kosto janë të përfshira.
Sipas importuesve, diferenca mes dy mënyrave të përllogaritjes ka sjellë një kosto shtesë prej rreth 4.7 lekësh për litër, duke krijuar humbje për operatorët.
Debati nisi të intensifikohej pas riaktivizimit të Bordit të Transparencës, i cili vijoi të përdorë formulën e aplikuar gjatë krizës së vitit 2022. Në muajin maj, kompanitë e tregtimit të karburanteve paralajmëruan qeverinë se do t’i drejtoheshin gjykatës, duke kundërshtuar mënyrën e përllogaritjes së çmimeve.
Përplasja gjyqësore zhvillohet në një moment kur tregu vendas po përballet gjithashtu me rritje të çmimeve të naftës dhe benzinës. Rritja e kuotimeve ndërkombëtare të naftës ka reflektuar në çmimet e shitjes në Shqipëri, me të dyja produktet që kanë kaluar nivelin e 200 lekëve për litër.
Sipas operatorëve të tregut, përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme dhe pasiguritë që lidhen me furnizimin përmes ngushticës së Hormuzit mund të ushtrojnë presion të mëtejshëm mbi çmimet e karburanteve.
Në këtë situatë, importuesit vlerësojnë se një nga masat që mund të frenojë rritjen e çmimeve në tregun vendas do të ishte ulja e barrës fiskale mbi karburantet.
Vendimi përfundimtar mbi pretendimet financiare të operatorëve do t’i takojë Gjykatës Administrative.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






