Transmetuar më 21-08-2026, 12:56

TIRANË — Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër, por përmes një qasjeje ironike, lidhur me incidentin e ndodhur një ditë më parë në Pustec, ku gjatë një aktiviteti ku ishte i pranishëm homologu i tij i Maqedonisë së Veriut u shmang vendosja e Himnit Kombëtar Shqiptar.

Në reagimin e tij zyrtar, Rama ka vlerësuar qëndrimin e kryetarit të Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, i cili kishte kërkuar paraprakisht luajtjen e himnit shqiptar dhe kishte kërkuar ndjesë publike, duke e cilësuar atë si një qytetar të denjë. Kreu i qeverisë theksoi se për Shqipërinë, minoritetet nuk janë thjesht statistika, por pasuri kombëtare dhe vëllezër me të njëjta të drejta.

Duke iu referuar shfaqjes së elementëve nacionalistë nga vendet fqinje në territorin shqiptar, Rama i ka cilësuar ato si pjesë të një "cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale". Ai ka nënvizuar se Shqipëria nuk ka asnjë shqetësim për sovranitetin e saj dhe nuk do të bie pre e provokimeve apo ekuilibreve të rreme. Duke u ndalur te zërat e brendshëm që kërkojnë hakmarrje apo reagime të menjëhershme me të njëjtën monedhë, kryeministri u bëri thirrje të mos e ulë nivelin e vlerave të Shqipërisë evropiane në atë që e quajti "parodia e Pustecit".

Reagimi i Ramës

Ajo që ndodhi në Pustec është një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës.

Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij.

U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën.

Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne.

Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo “diasporë” të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund.

Gjithësesi, u shpreh sot një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorëve të këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them:

Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit