

PRISHTINË — Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për televizionin "RTV Dukagjini", ka folur lidhur me vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Hagë, duke e cilësuar atë si një personalitet me vlera të larta morale dhe burrështetas të rryer, ndërsa ka theksuar se shteti shqiptar ka bërë gjithçka që mundej për të.
Duke u ndalur te periudha e luftës dhe sfidat e mëdha të vitit 1999, Thaçi ka sjellë në vëmendje prapaskenat e Konferencës së Rambujesë dhe rëndësinë e ruajtjes së aleancave ndërkombëtare. Ai ka rrëfyer se për të mos humbur mundësinë e fituar në Rambuje dhe për t’u futur nga Shqipëria në Kosovë në fillim të muajit mars 1999, i është dashur të ecë në këmbë për rreth 40 orë në një terren malor e të minuar, duke u strehuar ditën për të shmangur forcat serbe.
Ish-presidenti e ka cilësuar pranimin e marrëveshjes në Rambuje si një nga vendimet më të rënda, por edhe më krenare të jetës së tij, duke shtuar se kishte frikë nëse po nënshkruante lirinë e Kosovës apo fundin e tij. Sipas tij, Serbia e kuptoi se ajo marrëveshje po i hapte rrugën pavarësisë së vendit dhe për këtë arsye e refuzoi, ndërsa theksoi se asnjë popull nuk mund t’i arrijë të drejtat e tij i vetmuar pa mbështetjen e aleatëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






