Transmetuar më 21-08-2026, 07:56

KOSOVË – Numri i shkurorëzimeve në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë muajit qershor 2026. Sipas të dhënave administrative të publikuara nga Agjencia e Regjistrit Civil, gjatë këtij muaji janë regjistruar 147 raste divorci, nga 117 që ishin regjistruar në maj.

Bëhet fjalë për 30 shkurorëzime më shumë brenda një muaji, ndërsa në përqindje rritja ka qenë 25.6%.

Rritja e divorceve është regjistruar në të njëjtën periudhë kur edhe numri i martesave ka ardhur në rritje. Gjatë qershorit janë regjistruar gjithsej 1,279 kurorëzime, brenda dhe jashtë Kosovës, krahasuar me rreth 1,037 në muajin maj. Numri i martesave është rritur kështu me 23.3%.

Megjithatë, rritja mujore e shkurorëzimeve ka qenë pak më e lartë se ajo e kurorëzimeve, përkatësisht 25.6% kundrejt 23.3%.

Të dhënat tregojnë se në qershor janë evidentuar rreth 11.5 raste shkurorëzimi për çdo 100 kurorëzime të regjistruara. Ky raport nuk nënkupton se 11.5% e martesave të lidhura gjatë qershorit janë prishur, pasi shkurorëzimet mund t’u referohen martesave të lidhura në vite të ndryshme.

Rritje edhe e lindjeve dhe vdekjeve

Ndryshime janë regjistruar edhe në treguesit e tjerë demografikë.

Gjatë qershorit 2026 janë regjistruar 2,674 lindje, brenda dhe jashtë Kosovës. Prej tyre, 1,399 kanë qenë meshkuj dhe 1,275 femra. Krahasuar me majin, numri i lindjeve është rritur me 14.9%.

Në të njëjtën periudhë janë regjistruar edhe 920 raste vdekjesh, nga të cilat 494 meshkuj dhe 426 femra. Edhe vdekjet kanë shënuar rritje mujore, me 5.6%.

Të dhënat për lindjet, vdekjet, kurorëzimet dhe shkurorëzimet bazohen në të dhënat administrative të institucioneve përkatëse.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit