

TIRANË – Fermerët dhe blegtorët paralajmërojnë rikthimin e protestave në muajin shtator, nëse kërkesat e tyre për rritjen e mbështetjes financiare dhe uljen e kostove të prodhimit nuk merren parasysh nga institucionet.
Subvencionet e konsideruara të ulëta, kostot e larta të prodhimit, mungesa e kanaleve ujitëse dhe heqja e skemës së naftës pa akcizë janë ndër problematikat kryesore që, sipas përfaqësuesve të sektorit, po dëmtojnë konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.
Në javën e parë të shtatorit, përfaqësues të fermerëve dhe blegtorëve pritet t’i drejtohen Ministrisë së Bujqësisë me një paketë kërkesash që lidhen me skemën kombëtare të bujqësisë, subvencionet, TVSH-në dhe kostot e prodhimit.
Kërkohet rritja e subvencioneve për blegtorinë
Një nga kërkesat kryesore të blegtorëve është rishikimi i skemës kombëtare, veçanërisht heqja e pragjeve për përfitimin e rimbursimeve direkte për bagëtitë.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Blegtorëve Prodhues të Qumështit kërkojnë gjithashtu që subvencioni për lopët të rritet nga 12 mijë në 20 mijë lekë për krerë, si dhe të ulet TVSH-ja.
Një tjetër kërkesë lidhet me etiketimin e produkteve të bulmetit vendas, të cilat, sipas blegtorëve, prodhohen me qumësht të freskët, por edhe me lëndë të parë të importuar.
Dashamir Çela, drejtues i një ferme me 60 krerë lopë në Samaticë të Beratit, e konsideron situatën e sektorit veçanërisht të vështirë. Sipas tij, kostot e larta të naftës, mungesa e infrastrukturës ujitëse dhe subvencionet e ulëta po rëndojnë aktivitetin e fermerëve.
Ai sjell si shembull nivelin e mbështetjes në disa vende të rajonit, duke argumentuar se diferenca e subvencioneve ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e fermerëve shqiptarë për të konkurruar me prodhuesit e huaj.
Nafta pa akcizë, një nga kërkesat kryesore
Rikthimi i skemës së naftës pa akcizë mbetet një tjetër kërkesë e rëndësishme e fermerëve.
Në mars të këtij viti, qeveria rishikoi skemën kombëtare të bujqësisë dhe hoqi skemën e naftës pa akcizë, e cila kishte qenë në fuqi që prej vitit 2021.
Ministria e Bujqësisë argumentoi se lehtësimi do të kompensohej përmes një skeme të re, që parashikon kompensimin e 10% të TVSH-së së paguar për inputet bujqësore, përmes autofaturave të blerjeve të lëshuara nga përpunuesit.
Ndërkohë, skema e re solli rritjen e disa subvencioneve direkte. Për lopët, mbështetja u rrit nga 10 mijë në 12 mijë lekë për krerë, ndërsa për bagëtitë e imëta nga 1,200 në 1,500 lekë.
U përgjysmuan gjithashtu pragjet e numrit të kafshëve për përfitimin e subvencioneve. Për fermat me lopë, pragu u ul nga 10 në 5 krerë, ndërsa për bagëtitë e imëta nga 100 në 50 krerë.
Megjithatë, ndryshimet nuk kanë bindur fermerët, të cilët kërkojnë një nivel më të lartë mbështetjeje dhe masa që, sipas tyre, të garantojnë konkurrueshmërinë e prodhimit vendas.
Protestat mund të rikthehen me traktorë
Në fillim të muajit prill, qindra fermerë protestuan para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar ndër të tjera rikthimin e naftës pa akcizë dhe rritjen e subvencioneve për blegtorinë.
Pas protestës, përfaqësues të fermerëve zhvilluan një takim me ministrat e Bujqësisë dhe Financave, ku u diskutua mundësia e rishikimit të kërkesave në muajin shtator.
Tashmë, fermerët paralajmërojnë se, nëse kërkesat nuk reflektohen në paketën fiskale dhe projektbuxhetin për vitin 2027, protestat mund të rikthehen.
Këtë herë, sipas përfaqësuesve të sektorit, protestave mund t’u bashkohen edhe traktorët, duke i dhënë një tjetër përmasë presionit ndaj institucioneve për uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e mbështetjes për bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






