

20 gusht 2026, 22:43 – Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar situatën e zjarreve në vend deri në orën 20:00, duke raportuar 18 vatra të regjistruara gjatë ditës. Prej tyre, 9 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 3 janë nën monitorim.
Në operacionet për shuarjen dhe izolimin e flakëve janë angazhuar 383 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 90 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës dhe katër helikopterë të Forcës Ajrore.
Gojan-Gjegjan, vatra më problematike
Situata më e vështirë paraqitet në Gojan-Gjegjan të Pukës, ku terreni i thyer dhe era e fortë favorizojnë përhapjen e flakëve.
Forcat në terren janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa është kryer edhe evakuimi i banorëve të zonës. Operacioni po zhvillohet nga toka dhe ajri, me angazhimin e 40 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe tre helikopterëve.
Vatra aktive në disa qarqe
Në Mal Milot, Kurbin, vijon ndërhyrja me tre automjete zjarrfikëse, një autobot, 20 efektivë të FA-së dhe dy helikopterë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, rreziku për banesat është eliminuar, ndërsa operacionet vazhdojnë për neutralizimin e plotë të vatrës.
Në Malin e Dajtit, zjarri është riaktivizuar dhe po punohet me forca tokësore dhe një helikopter të Forcës Ajrore. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Gjon të Bulqizës, vatra mbetet aktive dhe po monitorohet nga pesë zjarrfikës, 22 vullnetarë dhe katër forca bashkiake, me fokus mbrojtjen e banesave pranë zonës së përfshirë nga zjarri.
Ndërkohë, në Ballaxhiaj të Memaliajt, zjarri është vënë nën kontroll dhe ndodhet larg banesave.
Situata nën kontroll në disa zona
Në Qafë Helmes, zjarri është shuar nga krahu i Bulqizës dhe izoluar nga krahu i Selishtës. Edhe në Lufaj të Mirditës, vatra është vënë nën kontroll.
Në të dyja zonat nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa vijon monitorimi për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në bashkëpunim me strukturat qendrore dhe vendore të Mbrojtjes Civile.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






